Aktualitet

Portugezi u vra nga truproja i 'Principotes', pronari i tij Bekim Bulica me 2 call center kokaine në Paris, pastrimi i parave në Ksamil

'Principotes' është regjistruar në emër të një të afërmi të Bulicës, përmes një kompanie fantazmë të krijuar në janar 2022 me kapital fillestar vetëm 100 lekë. 

F.I
Portugezi u vra nga truproja i 'Principotes', pronari i tij Bekim
autori i vrasjes, Sokrat Vata dhe Bekim Bulica

KSAMIL-Një ngjarje e rëndë ka tronditur bregdetin në zonën e Ksamilit, ku turisti portugez Luis Miguel Varela Mendes, 20 vjeç u gjet i vdekur në një shezlong në plazh. Ngjarja ka ndodhur në kompleksin e 'Principotes’, një nga vendet më luksoze njohura dhe më të frekuentuara në bregdetin e Ksamilit. 

I riu u vra me thikë pas një konflikti të dyshuar për një vajzë nga 29-vjeçari, Sokrat Vata, truprojë te 'Principote’. Arrestimi i tij u bë disa orë pas konstatimit të trupit të pajetë të turistit portugez. Burime për ZËRI raportuan se arrestimi i truprojës së 'Principotes’ u bë nga pika e kontrollit e ngritur në Levan, pasi u lëshua njoftimi nga autoritet se autori ishte drejtues i një mjeti tip Lamborgini. Sokrat Vata u gjet i fshehur në bagazhin e një makine.

Teksa turisti portugez u vra nga truproja i hotelit, në vëmendje del edhe pronari i kompleksit, Bekim Bulica i cili është përmendur më herët nga mediat prestigjoze franceze. Konkretisht më 24 prill 2025, gazeta prestigjoze franceze Le Parisien publikoi një artikull ku zbulonte se një rrjet shqiptar drejtonte dy call center në Paris dhe periferi, të cilët shpërndanin kokainë me porosi. Në krye të rrjetit qëndron Bekim Bulica.

Tetë persona, shtatë shqiptarë dhe një francez, u vunë nën akuzë për trafik droge, pastrim parash dhe organizatë kriminale. Më 20 shkurt 2026, e njëjta gazetë shkroi për arrestimin e tre shtetasve shqiptarë që shpërndanin kokainë në këmbë dhe me biçikletë në Paris dhe Hauts-de-Seine. Të tre u dënuan me burg. Po këtë vit në 2026, Le Monde ka përmendur në një artikull fenomenin e rrjeteve shqiptare të drogës në Paris, por pa iu referuar direkt emrit të Bekim Bulicës.

Pikërish pika qëndrore e skemës së pastrimit të Bulicës raportohet të jetë lokali luksoz “Principotes & Tulum Resto Lounge”, i ndodhur përballë “Tre Ishujve” në Ksamil. 'Principotes' është regjistruar në emër të një të afërmi të Bulicës, përmes një kompanie fantazmë të krijuar në janar 2022 me kapital fillestar vetëm 100 lekë. 

Bulica u arrestua në Francë në vitin 2021 dhe u ekstradua në Shqipëri për tentativë vrasjeje ndaj shtetasit F.C. Po ashtu ai u dyshua si pjesëmarrës në planin e arratisjes së Arbër Çekajt nga burgu 313 në Tiranë. 

Vrasja e ndodhur sot ka rritur pasigurinë për pushuesit në një nga zonat më të frekuentuar të Ksamilit, ku 'Principotes’ në qendër të raportimeve nga mediat franceze për trafik droge, sot u bë vendngjarja e një vrasjeje nga vetë truproja i kompleksit./ZËRI

Poll

MOS HUMB