
TIRANË- Dështon raundi i parë për zgjedhjen e drejtorit të Përgjithshëm të RadioTelevizionit Shqiptar. Këshilli Drejtues i Radio Televizionit Shqiptar pritet të mblidhet sërish të premten për të zgjedhur drejtorin e ri të kandidatëve. Tashmë do të duhet që të zgjedhin mes tre kandidaturave: Zoje Jakaj (Marashi), Eni Vasili dhe Ëngjëllush Musai. Kjo për shkak se asnjë prej 12 kandidatëve nuk ka arritur që të marrë 7 vota ose ndryshe 3/5 e votave për t’u zgjedhur drejtori i Përgjithshëm i RTSH-së.
Si u votua me votë të fshehtë në mbledhjen e sotme?
RENDITJA DHE VOTAT
Eni Vasili – 5 vota
Zoje Jakaj (Marashi) – 2 vota
Engjëllush Musai – 2 vota
Flamur Buçpapaj – 1 votë
Kliton Rama
Jetmir Shpuza
Laureta Roshi
Ermal Hoxha – 1 votë
Harrila Koçi
Mimoza Haxhiaj
Elton Metaj
Enrik Mehmeti
Në përfundim të votimit, kryetari i Këshillit Drejtues të RTSH, Fatjon Hoxhalli, konstatoi se asnjëra prej kandidaturave nuk siguroi shumicën e parashikuar për votimin e parë.
“Duke qenë se në këtë votim nuk arrihet rezultati prej 3/5, siç e parashikon ligji për votimin e parë, pra 7 vota për një kandidat, ky votim rezulton i pasuksesshëm. Na duhet të kalojmë në një votim të dytë brenda 7 ditëve, sipas parashikimit të Statutit të Radio Televizionit Publik Shqiptar,”- tha Hoxhalli.
Kështu, me shumë gjasa, drejtori i ri i RTSH-së, do të zgjidhet të premten në orën 10:00.
Debati për garën e drejtuesit të ri të RTSH, nisi pas largimit të Alfred Pezës nga detyra. Për kreun e RTSH garuan: Harilla Koçi; Jetmir Shpuza; Enrik Mehmeti; Floriana Paskali; Eni Vasili; Ermal Hoxha; Aurora Polo; Kliton Rama; Flamur Buçрарај dhe Laureta Roshi. Por, 8 prej tyre u skualifikuan dhe në raundin e dytë kaluan vetëm dy: drejtuesja e komanduar Aurora Polo dhe Jetmir Shpuza.
Në garë u gjetën parregullsi, gjë që solli edhe reagimin e partive politike (PS dhe PD), ku kërkuan zgjedhje të drejta. Po ashtu, edhe ndërkombëtarët bënë thirrje për transparencë në këtë garë. Pas kësaj ndërhyri Kuvendi i Shqipërisë ku vendosi shkarkimin e Këshillit Drejtues të RTSH-së. Tashmë, në listën e kandidatëve për drejtues të RTSH-sk bëjnë pjesë personalitete të njohura nga fusha të ndryshme, duke përfshirë median, artin, ekonominë dhe studimet akademike./ZËRI