Aktualitet

“Gërdeci”, Mediu në GJKKO: Absurde! SPAK nuk i merr për bazë provat tona

Mediu, pretendon se ai është ngarkuar nga SPAK për gjëra që s’kanë qenë përgjegjësi e një ministri.

F.I
“Gërdeci”, Mediu në GJKKO: Absurde! SPAK nuk i merr
Fatmir Mediu

TIRANË-Ish ministri i mbrojtjes Fatmir Mediu vijoi edhe këtë të martë me kundërshtimet e provave të sjella nga SPAK, në procesin ku po gjykohet për “Shpërdorim detyre” lidhur me masakrën e Gërdecit. Mediu, pretendon se ai është ngarkuar nga SPAK për gjëra që s’kanë qenë përgjegjësi e një ministri.

Mediu u shpreh se përcaktimi i Gërdecit është bërë 1 javë përpara daljes së urdhrit të ministrit. Ai shtoi se ndarja e kalibrave nuk është autoritetet i ministrit të Mbrojtjes, por ka rregullore që e përcakton. Mediu thotë se do të vijojë me kundërshtimet e pretendimeve të SPAK. 

Fatmir Mediu: Ajo që po ndodh në këtë proces është që prokuroria ngarkon me përgjegjësi ligjore ministrin për një gjë që nuk është autoritet ligjor i ministrit. Kjo e bën situatën absurde. Sot jemi marrë me faktin e përcaktimit të Gërdecit. Është qartësisht përcaktuar 1 javë përpara urdhrit të ministrit. Ka pasur disa veprime në raport me këtë kontratë që është bërë përpara urdhrit të ministrit. Dhe autoritet amerikane kanë dhënë autorizimin për përcjelljen e makinerive të demontimit nëpërmjet një procesi strikt të verifikimit të kompanisë dhe licencave. Pretendimet për leje që duhet të jepte ministri nuk janë të bazuara askund në ligj dhe ministri nuk mund ti referohet kërkesës që mund të vijë nga një subjekt privat për detyrimet që ka ligji. Edhe një çështje që u bë histori, ajo e kalibrave. Sipas vetë ekspertëve të prokurorisë, ata kanë deklaruar se nuk ka asnjë akt normativ për administrimin e municioneve sipas kalibrave. Kemi sjellë 5 urdhra të Shefit të Shtabit të Përgjithshëm  para kësaj VKM që provohet se municionet nga 20 deri 160 mm janë trajtuar si municione t kalibrit të vogël në procesin e demontimit me NATO, SHBA dhe Britaninë e Madhe. Këto nuk merren si provë nga prokuroria dhe nuk futen në proces.

Ish-ministri i Mborjtjes, Fatmir Mediu akuzohet për shpërdorim detyre, pasi sipas SPAK, janë shkelur procedurat e ngritjes së fabrikës së demontimit në Gërdec, pranë një zone të banuar si dhe ato të municioneve. Rihapja e çështjes ndaj Mediut u vu në lëvizje pas 12 vitesh me iniciativën e familjes së një prej viktimave të shpërthimit në mars 2008 në ambientet e ish “Brigadës së Tankeve”, me 26 humbje jete e qindra të plagosur. Sipas kërkuesve dhe SPAK, pas ndryshimeve ligjore të vitit 2012 dhe 2017, deputeti nuk ka më imunitet parlamentar për ndjekjen penale apo gjykimin e tij dhe për rrjedhojë nuk ekziston me asnjë pengesë për hetimin dhe gjykimin e Mediut, i cili akuzohet për “shpërdorim detyre”./ZËRI

Poll

MOS HUMB