CËRRIK- Tre persona janë arrestuar nga policia, ndërsa një 22-vjeçar është shpallur në kërkim, pasi dyshohet se kanë kryer gërmime me mjete të rënda në shtratin e lumit Devoll, jashtë kushteve të lejes së miratuar.
Mësohet se dy prej tyre janë punonjës të subjektit që po punon në zonë, ndërsa 22-vjeçari, i cili është administrator i kompanisë, është shpallur në kërkim. Gjithashtu, është proceduar edhe një person tjetër që kishte ndërtuar pa leje pranë zonës.
Policia ka sekuestruar një ekskavator dhe një kamion që përdoreshin për këtë aktivitet, ndërsa materialet i janë referuar Prokurorisë së Elbasanit për hetime të mëtejshme. Punimet në shtratin e lumit Devoll dyshohet se kanë rrezikuar tokat bujqësore në fshatin Gostimë.
Njoftimi i Policisë:
"Cërrik/Goditet një rast i krimeve kundër mjedisit, me pasoja devijimin e rrjedhës së lumit Devoll dhe rrezikimin e tokave bujqësore në fshatin Gostimë.
Arrestohen 2 punonjës në subjektin për llogari të të cilit kryhej gërryerja e shtratit të lumit.
Shpallet në kërkim një 22-vjeçar, administrator i subjektit. Në pranga dhe 1 shtetas (i afërm i 22-vjeçarit) që kishte ndërtuar pa leje në afërsi të vendndodhjes së subjektit.
Sekuestrohen 1 ekskavator dhe 1 kamion teknologjik, që përdoreshin për kryerjen e kësaj veprimtarie të kundërligjshme. Në vijim të kontrolleve dhe verifikimeve, si dhe administrimit të shqetësimeve të qytetarëve, për subjekte që dyshohet se kryejnë krime kundër mjedisit dhe/ose cenojnë regjimin juridik të tokës, shërbimet e Komisariatit të Policisë Cërrik goditën një rast në këtë fushë, me pasoja në lumin Devoll. Për rastin:
-u arrestuan në flagrancë shtetasit L. X., 35 vjeç, banues në Cërrik, L. B., 42 vjeç (shtetas indian), banues në Cërrik dhe B. T., 46 vjeç, banues në fshatin Shalës;
-u shpall në kërkim shtetasi shtetasi K. H., 22 vjeç.
Nga veprimet hetimore rezultoi se për llogari të subjektit që administronte 22-vjeçari dhe kishte të punësuar shtetasit L. X. dhe L. B., gërryhej me mjete të rënda, shtrati i lumit Devoll, veprimtari nga e cila ishte devijuar rrjedha e lumit dhe rrezikohej përmbytja e tokave bujqësore në fshatin Gostimë.
Gjithashtu, nga këto veprime rezultoi se subjekti e kryente gërryerjen jashtë koordinatave të përcaktuara në lejen që kishte për këtë veprimtari. Përveç ndëshkimit penal për shtetasit përgjegjës, subjekti u ndëshkua dhe administrativisht nga strukturat kompetente të IKMT, Tiranë, dhe IMT, Cërrik.
Nga verifikimet e mëtejshme, rezultoi se 46-vjeçari kishte ndërtuar pa leje, në afërsi të zonës ku ndodhej subjekti që administronte i afërmi i tij, shtetasi K. H.. Punohet intensivisht për kapjen e 22-vjeçarit.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme.
/ZËRI