DURRËS- Kryetari i Bashkisë së Rrogozhinës, Edison Memolla është vetëdorëzuar disa orë pas vendimit të Apelit që la në fuqi dënimin me 1 vit burg, pasi u gjet fajtor për korrupsion aktiv në zgjedhje në bashkëpunim. Policia e Durrësit ka dhënë detaje, teksa bën me dije se është ekzekutuar vendimi për arrestimin e kryetarit të Bashkisë së Rrogozhinës, Edison Memolla, si dhe Blerim Xhamani dhe Ndriçim Tafxhafa.
“Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare të DVP Durrës ekzekutuan vendimin e datës 09.02.2026, të Gjykatës së Posaçme të Apelit Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, e cila ka dënuar me nga 1 burgim, shtetasit E. M., 39 vjeç, B. Xh., 48 vjeç dhe N. T., 54 vjeç, banues në Rrogozhinë, për veprën penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”, kryer në bashkëpunim”, njofton policia.
Memolla u vetëdorëzua mbrëmjen e djeshme në policinë e Kavajës. Ndërkohë më herët gjatë ditës, Apeli i Posaçëm vendosi të lërë në fuqi vendimin me 1 vit burg, dhënë nga Gjykata e Posaçme më 24 janar të vitit 2025. Memolla nuk ishte i pranishëm në seancë, ndërsa vendimi i Apelit të Posaçëm ishte i formës së prerë dhe i zbatueshëm nga policia për ta arrestuar, nëse kryebashkiaku socialist nuk do të ishte vetëdorëzuar. Në këto kushte, Bashkia e Rrogozhinës do të mbetet pa kryetar, çka do të sjellë zgjedhje të parakohshme./ZËRI
