Aktualitet

Korrupsion në zgjedhje, vetëdorëzohet në polici Edison Memolla! Rrogozhina pa kryetar, ç'pritet të ndodhë

Dorëzimi i tij erdhi vetëm pak orë pas Apeli e dënoi me 1 vit burg, ndërsa vendosi edhe heqjen e së drejtës për të ushtruar funksione publike për 5 vite.

zh.ll
Korrupsion në zgjedhje, vetëdorëzohet në polici Edison
Edison Memolla

TIRANË- Kryetari i Bashkisë së Rrogozhinës, Edison Memolla, u vetëdorëzua mbrëmjen e të hënës në polici pas shpalljes së tij fajtor për korrupsion aktiv në zgjedhje, në bashkëpunim. Dorëzimi i tij erdhi vetëm pak orë pas Apeli e dënoi me 1 vit burg, ndërsa vendosi edhe heqjen e së drejtës për të ushtruar funksione publike për 5 vite.

Sipas burimeve bëhet me dije se kryebashkiaku i Rrogozhinës është vetëdorëzuar në policinë e Kavajës, ndërsa përveç Memollës janë vetëdorëzuar edhe 2 persona të tjerë. Vendimi i Apelit la në burg edhe Blerim Xhamani dhe Ndriçim Tafxhafa, ndërsa Isuf Toskut iu konvertua dënimi në shërbim prove.

Memolla nuk ishte i pranishëm në seancë, ndërsa vendimi i Apelit të Posaçëm ishte i formës së prerë dhe i zbatueshëm nga policia për ta arrestuar, nëse kryebashkiaku socialist nuk do të ishte vetëdorëzuar. Në këto kushte, Bashkia e Rrogozhinës do të mbetet pa kryetar, çka do të sjellë zgjedhje të parakohshme.

Kryebashkiaku i Rrogozhinës, u mor i pandehur nga SPAK më 19 tetor 2023, pas një denoncimi ku gjatë fushatës elektorale urdhëronte punonjësit e OSHEE që të mos i prisnin energjisë elektrike një familjeje të varfër që nuk kishte mundësi t’i paguante. Në këmbim, familja do të votonte Memollën. Në media u publikua një bisedë telefonike, ku kryebashkiaku dëgjohet t’i kërkonte të bisedonte me elektricistin të cilin e porositi të mos ia presë dritat sa të kalojë edhe muaji i zgjedhjeve.

Sipas SPAK, Memolla ndikoi tek Blerim Xhamani, elektriçist pranë FSHU Durrës, për të mos i ndërprerë energjinë elektrike një abonenti debitor, me qëllim për të votuar në favor të tij në zgjedhjet lokale, si dhe komunikon me Xhamanin, për punësime në Bashkinë Rrogozhinë, po ashtu në këmbim të votës.

I pandehuri Ndriçim Tafxhafa, i kishte premtuar shtetases për shlyerje të detyrimeve ndaj OSHEE dhe për strehim, ndërsa Blerim Xhamani dhe Isuf Tosku kanë falsifikuar të dhënat në procesverbalin e ndërprerjes së energjisë elektrike, duke paraqitur të dhëna të rreme.

Memolla u rizgjodh kryetar i Bashkisë së Rrogozhinës si kandidat i Partisë Socialiste në zgjedhjet e 14 majit 2023. Megjithatë, pas ankimeve nga opozita për parregullsi në kutitë e votimit të Burgut të Rrogozhinës zgjedhjet u përsëritën. Memolla i fitoi votimet për herë të tretë në korrik 2023. Megjithatë këtë mandat rrezikon që ta humbasë nëse do të shpallet fajtor./ZËRI

Poll

MOS HUMB