Aktualitet

GJKKO lejon Ilir Beqajn të flasë jashtë kafazit të qelqtë

Gjykata urdhëroi gjithashtu njoftimin e Drejtorisë së Burgjeve për zbatimin e këtij vendimi.

F.I
GJKKO lejon Ilir Beqajn të flasë jashtë kafazit të
Ilir Beqaj

TIRANË-Në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar po zhvillohet këtë të martë seanca për dosjen e njohur si “Sterilizimi”, ku i pandehur është edhe ish-ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj. Gjykata e Posaçme ka pranuar kërkesën e ish-ministrit të Shëndetësisë Ilir Beqaj që të lërë kafazin dhe seancat t’i ndjekë në sallë.

Beqaj i ka dorëzuar trupës gjykuese edhe një qëndrim të Komitetit Shqiptar të Helsinkit mbi trajtimin e të paraburgosurve në “kafaz”, duke e sjellë si argument në favor të kërkesës së tij për ndryshim të kushteve të qëndrimit në sallë.

Treshja e gjyqtarëve, Rudina Palloi, Irena Gjoka dhe Erion Çela vlerësoi se, për shkak të numrit të ulët të pjesëmarrësve, faktit që ka vetëm një të pandehur, sjelljes së të pandehurit, si dhe faktit që në këtë proces nuk ka masë “arrest me burg”, Ilir Beqaj mund të qëndrojë pranë avokatëve të tij në sallë. Gjykata urdhëroi gjithashtu njoftimin e Drejtorisë së Burgjeve për zbatimin e këtij vendimi.

"I pandehuri Ilir Beqaj hetohen nën efektin e masës së sigurisë “detyrim paraqitje” dhe “ndalim i daljes jashtë vendit”. Paraqitja e të pandehurit në kushtet e izolimit vjen për shkak të një mase tjetër, që është në funksion të një çështje tjetër penale. Në këtë kontekst, ne nuk kemi asnjë kundërshtim nëse ai do paraqitej në gjendje jo izolimi. Ndoshta do ishte e nevojshme një vendim i caktimit të masës “arrest në burg” ndaj Ilir Beqaj", tha Prokurori Edvin Kondil.

Ndërkohë, seanca u shty për në datën 21 maj, në orën 09:00, në mënyrë që Ilir Beqaj të jetë i pranishëm pranë avokatit të tij gjatë paraqitjes së kërkesave të tjera./ZËRI

Poll

MOS HUMB