TIRANË- Gjykata e Posaçme (GJKKO) ka shpallur të pafajshëm ish-shefin e Policisë Rrugore, Roven Zeka, i cili akuzohej për "korrupsion pasiv". Vendimi është marrë pasi sipas GJKKO-së, nuk është provuar se Zeka e ka kryer veprën penale, duke vendosur edhe heqjen e "arrestit shtëpiak" ndaj tij.
Ndërkohë, oficeri Edison Tabaku u dënua me 3 vite burg, por me gjykim të shkurtuar dënimi i zbret në 2 vite burg. Me 3 vite burg u dënua edhe Sokol Navaku, me gjykim te shkurtuar 2, por dënimi i konvertohet në shërbim prove. Ndërsa, Erges Vrioni u dënua me 1 vit e 6 muaj burg, që me gjykim të shkurtuar u ul në 1 vit dhe u konvertua në shërbim prove për një periudhë 2-vjeçare.
I pandehuri tjetër, Blendi Bela, është shpallur fajtor për veprën penale të moskallëzimit të krimit. GJKKO e ka dënuar me dënuar me 1 vit burg, dënim i cili është ulur në 8 muaj për shkak të gjykimit të shkurtuar. Por, edhe sipas vendimit, dënimi do të konvertohet në shërbim prove.
Roven Zeka bashkë me shefin e Sektorit të Aksidenteve, Sokol Novaku dhe oficerin e policisë gjyqësore Edison Tabaku, u akuzuan më herët nga SPAK për veprën penale të korrupsionit. Kjo për shkak se kanë kërkuar dhe marrë pagesën 2 mijë euro nga biznesmeni Erges Vrioni, për të mos i arrestuar bashkëshorten që kishte shkaktuar një aksident.
Sipas dosjes hetimore, duke qenë se polici Tabaku e njihte Erges Vrionin, bashkëshortin e gruas që bëri aksidentin, i ka kërkuar para për të mos e arrestuar të shoqen, Anisa Vrionin. Kështu, biznesmeni i ka dhënë 1000 euro Tabakut pranë banesës së tij. Më pas, vetë Tabaku e ka takuar sërish Erges Vrionin në një lokal pranë komisariatit të Policisë Rrugore duke i kërkuar edhe para të tjera me pretendimin: Kam edhe të tjerë mbi kokë!
Urdhri i ndalimit të drejtorit të Policisë Rrugore të Tiranës, Roven Zeka, shefi i Sektorit të Aksidenteve në Tiranë, Sokol Novaku dhe Oficerit të Policisë Gjyqësore, Edison Tabaku është ekzekutuar nga BKH, në bashkëpunimin me Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore. Gjatë kontrolleve të kryera për llogari të këtij procedimi penal janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale shumat prej; 2.500.000 lekë dhe 26 mijë euro./ZËRI