TIRANË- Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka vendosur të mos e kalojë për gjykim dosjen e njohur si “SASPAC”, ku i pandehur është ish-ministri i shëndetësisë, Ilir Beqaj. Me vendimin e dhënë këtë të hënë, gjykata ia ka kthyer aktet SPAK-ut, duke i lënë afat tre muaj për të plotësuar hetimet.
Vendimi erdhi pas më shumë se një viti shqyrtimi të kërkesës së Prokurorisë së Posaçme për dërgimin e çështjes në gjykim. GJKKO rrëzoi kërkesën e prokurores Elida Kaçkini dhe caktoi datën 30 tetor si afatin për përfundimin e veprimeve.
Ilir Beqaj përballet me akuza për korrupsion, fshehje pasurie, shkelje të barazisë në tendera dhe mashtrim. Në të njëjtën dosje është i pandehur edhe Ermal Kurtulaj, i konsideruar nga SPAK si një nga bashkëpunëtorët më të afërt të ish-ministrit.
Sipas organit të akuzës, Beqaj dhe personat e tjerë nën hetim kanë zhvilluar të paktën tetë procedura prokurimi në kundërshtim me ligjin. Megjithatë, gjykata arriti në përfundimin se provat e administruara deri tani nuk janë të mjaftueshme për ta kaluar çështjen në gjykim, ndaj i dha SPAK-ut kohë shtesë për të plotësuar dosjen.
Në hetimet e deritanishme, SPAK-u pretendon se gjatë drejtimit të SASPAC-ut, Beqaj ka favorizuar procedura fiktive prokurimi në kuadër të projekteve të EUSAIR për vitet 2022–2023. Sipas prokurorisë, tenderët ekzistonin vetëm në dokumentacion, ndërsa fondet publike dyshohet se përfitoheshin në mënyrë të paligjshme përmes kompanive të lidhura me skemën.
Aktualisht, Ilir Beqaj dhe Ermal Kurtulaj janë të vetmit të pandehur në këtë dosje që vijojnë të mbahen në masën e sigurisë ‘arrest në burg’.
Beqaj ndodhet në burg që prej 4 korrikut të 2024 për abuzimin me fondet e Agjencisë Shtetërore të Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës (SASPAC). Por po ashtu, po hetohet edhe lidhur me dy koncensionet në Shëndetësi, Sterilizminin dhe Chech-up. Ai u mor zyrtarisht i pandehur nga SPAK për koncesionin 100 milionë euro të sterilizimit./ZËRI