Aktualitet

Inceneratori i Tiranës/ GJKKO shtyn seancën ndaj ish-deputetit Alqi Bllako

Shkak u bë mosplotësimi i trupës gjykuese.

F.I
Inceneratori i Tiranës/ GJKKO shtyn seancën ndaj ish-deputetit Alqi
Alqi Bllako

TIRANË-Gjykata e Posaçme Antikorrupsion shtyu sot (29 Janar) seancën e radhës për ish-deputetin socialist Alqi Bllako. Shkak u bë mosplotësimi i trupës gjykuese. Seanca e radhës u caktua më datë 13 Shkurt, në orën 14:30. Alqi Bllako akuzohet nga SPAK për korrupsion dhe shpërdorim detyre, në lidhje me çështjen e inceneratorëve. 

Ish-sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Mjedisit i dënuar me 2 vite e 8 muaj burg për inceneratorin e Fierit, dhe për të njëjtën periudhë kohe për inceneratorin e Elbasanit, Ballko akuzohet për “korrupsion pasiv” edhe në lidhje me hetimet për inceneratorin e Tiranës.

SPAK njoftoi se në kontratën koncensionare të vitit 2017 për ndërtimin e landfillit, e lidhur mes Ministrisë së Mjedisit dhe shoqërisë koncesionare të Klodian Zotos e Mirel Mërtirit, janë konstatuar akte korruptive të Alqi Bllako, i cili në cilësinë e Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Mjedisit ka kërkuar dhe përfituar 119.715 euro për makinerinë e verërave të të atit Edmond Bllako dhe 75 milionë lekë të vjetra në formë page për Vladimir Bezhanin.

Nga hetimi ka rezultuar se i pandehuri Alqi Bllako i ka propozuar Vladimir Bezhanit të vazhdonte detyrën si këshilltar i jashtëm i ministrit të Mjedisit, Lefter Koka dhe të ndihmonte me konsulencë juridike gjatë kohës kur kishte lindur idea dhënies së koncesionit për trajtimin e mbetjeve në qytetin e Tiranës, përpara se të bëhej propozimi i pa kërkuar në Ministrinë e Mjedisit. 

Inceneratori i Tiranës është sekuestruar nga SPAK që prej verës së vitit 2023, pasi rezultoi se kompania e cila fitoi koncesionin për ndërtimin e inceneratorit me vlerë 128 milionë Euro, ka si pronarë biznesmenët Mirel Mërtiri e Klodian Zoto. Të dy këta të fundit, të shpallur në kërkim ndërkombëtar për inceneratorin e Fierit dhe Elbasanit./ZËRI

Poll

MOS HUMB