Aktualitet

"Gjuha amtare nuk është privilegj"/ UT në krah të studentëve në Shkup: Mbështesim çdo përpjekje

Sipas UT-së, mosrespektimi i kësaj të drejte themelore rrezikon të cenojë besimin në institucionet shtetërore dhe gjithashtu dëmton zhvillimin profesional të studentëve.

l.k
"Gjuha amtare nuk është privilegj"/ UT në krah të
Foto ilustruese

TIRANË- Universiteti i Tiranës qëndron në krah të protestës së studentëve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut. Përmes një reagimi publik, UT mbështet kërkesën e studentëve për përdorimin e gjuhës amtare në proceset arsimore në Maqedoninë e Veriut.

Sipas UT-së, mosrespektimi i kësaj të drejte themelore rrezikon të cenojë besimin në institucionet shtetërore dhe gjithashtu dëmton zhvillimin profesional të studentëve.

Reagimi i plotë:

Universiteti i Tiranës shpreh mbështetjen e plotë për studentët shqiptarë në Maqedoninë e Veriut, të cilët po kërkojnë realizimin e një të drejte themelore: përdorimin e gjuhës së tyre amtare në proceset arsimore dhe profesionale.

E drejta për t’u arsimuar dhe për t’u vlerësuar në gjuhën amtare nuk është privilegj, por një standard i njohur ndërkombëtarisht dhe një element thelbësor i barazisë reale në shoqëri shumëgjuhëshe. Kur studentët ndjekin studimet e tyre në një gjuhë të caktuar, është e drejtë legjitime që edhe vlerësimi përfundimtar profesional të bëhet në të njëjtën gjuhë.

Kërkesa e studentëve shqiptarë për të zhvilluar provimet shtetërore në gjuhën shqipe përfaqëson një aspiratë të drejtë për barazi, dinjitet dhe mosdiskriminim. Mosrespektimi i këtij parimi rrezikon të krijojë pengesa të panevojshme në zhvillimin profesional të tyre dhe të cenojë besimin në institucionet shtetërore.

Universiteti i Tiranës mbështet çdo përpjekje që synon forcimin e të drejtave gjuhësore dhe garantimin e standardeve të barabarta në arsim dhe në jetën publike. Ne inkurajojmë institucionet përkatëse që, në frymën e ligjit dhe të bashkëjetesës demokratike, të gjejnë zgjidhje të drejta dhe gjithëpërfshirëse. Respektimi i diversitetit gjuhësor nuk është vetëm detyrim ligjor, por edhe vlerë që pasuron shoqërinë dhe forcon kohezionin social në rrugën e integrimit të rajonit në Bashkimin Evropian.

Rektori i Universitetit të Tiranës, Prof. Dr. Artan Hoxha

/ZËRI

Poll

MOS HUMB