Aktualitet

Gjykata britanike frenon dëbimet drejt Shqipërisë: Viktimat e trafikimit përballen me rrezik

Në vendim theksohet se, megjithëse Shqipëria ka bërë përparim në luftën kundër korrupsionit, ky fenomen vijon të jetë i përhapur.

F.I
Gjykata britanike frenon dëbimet drejt Shqipërisë: Viktimat e
FOTO ILUSTRUESE

BRITANI E MADHE-Një vendim i rëndësishëm i gjykatës britanike mund të pengojë Home Office që të deportojë në Shqipëri shumë të rinj shqiptarë, të identifikuar si viktima të trafikimit. Gjykata ka vlerësuar se disa prej tyre mund të përballen me rrezik real nëse kthehen në vendin e origjinës.

Sipas The Guardian, shqiptarët kanë qenë kombësia më e dëbuar në pesë vitet e fundit. Në vitin 2022 rreth 4017 meshkuj shqiptarë u referuan në shërbimet e Mbretërisë së Bashkuar pë trafikim, ndërsa numri i femrave të trafikuara ishte 502. Në vitin 2023 raporti i shkon në 3463 meshkuj dhe 588 femra.

Në të kaluarën, viktimat shqiptare ishin kryesisht gra, të trafikuara për shfrytëzim seksual. Ndërkohë, vitet e fundit numri i viktimave meshkuj është rritur ndjeshëm, veçanërisht mes djemve dhe të rinjve që trafikohen për të punuar në trafikun e drogës ose në fermat e kanabisit.

Çështja gjyqësore u ngrit nga një 21-vjeçar shqiptar, viktimë e trafikimit, i cili ishte shfrytëzuar fillimisht nga një bandë shqiptare në Belgjikë, kur ishte 16 vjeç dhe kishte udhëtuar atje me babain e tij. Më pas, ai iu shit një tjetër grupi kriminal shqiptar, i cili e solli në Britani dhe e detyroi të punonte në kultivimin e kanabisit. I riu arriti të arratisej dhe më vonë u njoh zyrtarisht si viktimë e trafikimit.

Gjykata ka nxjerrë gjithashtu udhëzime të reja për situatën në Shqipëri, të cilat tashmë duhet të merren parasysh nga Home Office përpara se të vendosë për kthimin e viktimave meshkuj të trafikimit. Në vendim theksohet se, megjithëse Shqipëria ka bërë përparim në luftën kundër korrupsionit, ky fenomen vijon të jetë i përhapur.

Gjykata vuri gjithashtu në dukje mungesën e strehimoreve të posaçme për viktimat meshkuj të rritur të trafikimit, ndërsa theksoi se ekziston një rrezik i konsiderueshëm që personat e trafikuar të bien sërish në duart e trafikantëve nëse kthehen në Shqipëri. 

Viktimat mund të përballen me dhunë fizike, ndërsa në rastet e fëmijëve trafikantët kanë përdorur edhe video të abuzimit seksual, përfshirë përdhunimet, për t’i kërcënuar më pas me publikimin e tyre në rrjetet sociale. Në raste të tjera, sipas organizatës, trafikantët u tregojnë të rinjve video të familjarëve të tyre në Shqipëri për t’u bërë të qartë se kanë informacion mbi vendndodhjen dhe identitetin e familjeve të tyre. Të miturit dhe të rinjtë janë përballur gjithashtu me dhunë të rëndë fizike, përfshirë thyerje kockash./ZËRI

Poll

MOS HUMB