Aktualitet

Gjykata e liroi nga burgu, Lefter Koka e mësoi lajmin në spital, u shtrua pas problemeve me zemrën

Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve do të bëjë lirimin e menjëhershëm të Kokës, pa qenë e nevojshme që ai të kthehet edhe njëherë nga spitali në qeli

E.K
Gjykata e liroi nga burgu, Lefter Koka e mësoi lajmin në spital, u
lefter koka

TIRANË- Ish-ministri i Mjedisit Lefter Koka, e ka mësuar lajmin e lirimit të tij nga qelia, në ambientet e një spitali privat në Tiranë, ku prej disa ditësh ndodhej i shtruar si pasojë e problemeve me zemrën. Gjykata urdhëroi lirimin e tij të menjëhershëm, e për këtë shkak Drejtoria e Burgjeve pritet që të përpilojë letrat, dhe t’i çojë procesverbalin e lirimit Kokës në ambientet e spitalit.

Sipas vendimit të Gjykatës së Posaçme masa e sigurisë për inceneratorin e Fierit nuk qëndron më, për shkak se dosja është kthyer për rigjykim në Apel nga Gjykata e Lartë.

Në lidhje me dënimin për inceneratorin e Elbasanit, Koka ka fituar lirinë me kusht nga Gjykata e Durrësit. Ndërkohë, për çështjen e inceneratorit të Tiranës, ai e ka shlyer dënimin me kohën e qëndrimit në paraburgim.

Të tre dosjet penale ku Koka ishte i përfshirë, inceneratori i Elbasanit, Tiranës dhe Fierit nuk paraqesin më masa sigurie në fuqi.

Lefter Koka dhe ish-sekretari i tij në Ministrinë e Mjedisit, Alqi Bllako, ishin dy nga zyrtarët më të lartë të hetuar, arrestuar dhe dënuar për çështjen e inceneratorëve. Po për këtë dosje është shpallur në kërkim ish-numri 2 i qeverisë Arben Ahmetaj.

Vendimi i GJKKO-së:

“1. Kërkuesi Lefter Koka ka paraqitur pranë gjykatës kërkesën me objekt: “Konstatimin e humbjes së fuqisë së paraburgimit dhënë shtetasit Lefter Koka, me vendimin nr.22, datë 23.06.2022, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, e zbatuar nga policia gjyqësorë në datë 29.03.2022, ora 09:15, dhe e lënë në fuqi me vendimin nr.23, datë 31.03.2022, të po kësaj gjykate”.

Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtari Bib Ndreca, me vendimin nr. 798, datë 11.12.2025, vendosi:

Pranimin e kërkesës.

Konstatimin e humbjes së fuqisë së paraburgimit, konkretisht të masës së sigurimit “Arrest në burg” parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale, caktuar me vendimin Nr.22 datë 26.03.2022, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, masë e ekzekutuar më datë 29.03.2022, ora 09:15, dhe masë e vijuar me vendimin Nr.23, datë 31.03.2022, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, ndaj Lefter H. Koka, në zbatim të nenit 263/6/c të K.Pr.Penale, përshkak se kohëzgjatja tërësore e paraburgimit ka kaluar mbi tre vjet.

Urdhërohet lirimi i menjëhershëm i kërkuesit Lefter H. Koka, nga ambjentet e paraburgimit, përveçse nëse ndaj këtij shtetasi ka ndonjë masë tjetër sigurimi personal me karakter shtrëngues parashikuar nga nenet 238 K.Pr.Penale, urdhër ndalimi, apo dënim tjetër penal me burgim të formës së prerë, të pavajtuar.

Urdhërohet Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe Policia Gjyqësore për ekzekutimin e këtij vendimi.

Shpenzimet gjyqësore siç janë bërë.

Kundër këtij vendimi lejohet e drejta e ankimit brenda 5 (pesë) ditëve, duke filluar ky afat nga e nesërmja e njoftimit të këtij vendimi, në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar. /ZËRI

Poll

MOS HUMB