TIRANË- Gjykata e Posaçme liron nga burgu ish-zv.ministrin e Shëndetësisë, Klodian Rrjepaj dhe biznesmenin biznesmenin Ilir Rrapaj.
Raportohet se vendimi u dha me shuarje dënimi, sepse sipas llogarive, rezultoi se iu ka përfunduar koha e dënimit me mbajtjen në paraburgim. Gjyqtari Bib Ndreca pranoi kërkesën e avokatëve dhe dha vendimin për lirim nga qelia me argumentin se u kanë mbaruar afatet e paraburgimit.
Rrjepaj dhe Rrapaj u dënuan nga Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) me nga 6 vite burg për veprat penale “vjedhje duke shpërdoruar detyrën” dhe “falsifikim dokumentesh”. Megjithatë, për shkak të gjykimit të shkurtuar, dënimi iu ul në 4 vite për secilin.
Nga ana tjetër, SPAK kishte kërkuar dënime më të rënda, deri në 10 vite burg, dënim qe zbret në 6.8 vite në rast se ata gjenden fajtor nga Gjykata e Posaçme.
Të dy ata akuzohen për vjedhje duke shpërdoruar detyrën në procesin e koncesionit të sterilizimit me vlerë 100 milionë euro, por u shpallën të pafajshëm për akuzën e “grupit të strukturuar kriminal”.
Klodian Rjepaj, ish-zv.ministër akuzohet për “vjedhje duke shpërdoruar detyrën” përmes grupit të strukturuar kriminal, si edhe falsifikim dokumentesh. Ndërsa ndaj Rrapajt rëndon akuza e vjedhjes përmes grupit të strukturuar kriminal.