TIRANË- Gjykata Administrative ka vendosur të shfuqizojë masat disiplinore të vendosura ndaj disa deputetëve të opozitës, të cilët ishin përjashtuar për 30 ditë nga punimet e Kuvendit dhe komisioneve parlamentare. Vendimi prek deputetët Flamur Noka, Albana Vokshi, Elda Hoti, Belind Këlliçi, Klevis Balliu dhe Fidel Kreka.
Lajmi është bërë i ditur nga avokati Marash Logu, i cili thekson se ky është rasti i dyrë që Gjykata vendos për shfuqizimin e masave pasi janë marrë në kundërshtim flagrant me ligjin.
“Gjykata Administrative e Shkallës së Parë Tiranë vendosi sot shfuqizimin e masave disiplinore “Përjashtim nga pjesëmarrja në komisione dhe seancë plenare” për 30 ditë për deputetët Flamur Noka, Albana Vokshi, Elda Hoti, Belind Këlliçi, Klevis Balliu dhe Fidel Kreka.
Masat disiplinore lidheshin me seancën plenare të datës 18 Dhjetor 2025, ndërsa vendimet e shfuqizuara nga Gjykata ishin marrë në datën 23 Dhjetor 2025 nga Sekretariati për Etikën, dhe lënë në fuqi në datën 20 Janar 2026 nga Byroja e Kuvendit.
Pas vendimit nr. 4011 (4089), datë 06.11.2024 të Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Tiranë, ky është rasti i dytë që Gjykata vendos shfuqizimin e masave disiplinore ndaj deputetëve të opozitës për shkak se janë marrë në kundërshtim flagrant me ligjin”, thuhet në njoftimin e publikuar nga Logu.
Më 11 prill deputetët e opozitës iu drejtuan me padi Gjykatës Administrative, duke kërkuar shfuqizimin e vendimit që i përjashtoi për afro dy muaj nga punimet parlamentare.
Për shkak të incidenteve në sallën e Kuvendit, kanë qenë të shumta rastet kur deputetët e opozitës janë përjashtuar nga seancat plenare. Përjashtimi i atyre ka ardhur me kërkesë të mazhorancës, pas incidenteve të ndryshme, përfshirë përdorimin e flakadanëve, ndërprerjen e seancave, përplasjet me Gardën dhe hedhjen e sendeve në drejtim të kryetarit të Kuvendit.
Kjo është hera e parë që ata i drejtohen gjykatës pas një mase disiplinore të marrë nga Kuvendi. Në padi, deputetët pretendojnë se gjatë shqyrtimit në Sekretariatin për Procedurën, Votimet dhe Etikën nuk u është dhënë mundësia për t’u dëgjuar apo për të paraqitur shpjegimet e tyre.
Më 7 prill, Sekretariati i Etikës në Kuvend vendosi përjashtimin e deputetit Flamur Noka për 20 ditë dhe të deputetes Elda Hoti për 10 ditë, pas tensioneve të regjistruara në seancën e 2 prillit. Ndërkohë që deputetët Albana Vokshi dhe Taulant Balla nuk janë ndëshkuar. Grupi i PS-së kërkoi përjashtimin e Flamur Nokës dhe deputeteve Albana Vokshi e Elda Hoti. Kjo pasi, në seancën e 2 prillit, Hoti tentoi të ndërpriste fjalën e Bora Muzhaqit, duke i hequr kartën nga pajisja, ndërsa Noka goditi me shishe uji dhe kërcënoi Ballën. Nga ana tjetër, Grupi i PD-së kërkoi përjashtimin e Taulant Ballës për 60 ditë, duke akuzuar përdorim të gjuhës fyese ndaj deputetes Elda Hoti dhe deputetit Fatmir Mediu po në të njëjtën seancë plenare./ZËRI
