Aktualitet

Gjykata lë në burg 3 të arrestuarit për vrasjen e gjyqtarit, Elvis dhe Gjon Shkambi shprehin pendesë, i kërkojnë falje familjes Kalaja

Sipas Gjon dhe Elvis Shkambit vrasja ka ndodhur në kushtet e tronditjes së thellë psikologjike, për shkak të humbjes së gjyqit

E.K
Gjykata lë në burg 3 të arrestuarit për vrasjen e gjyqtarit,
gjon dhe elvis shkambi

TIRANË- Gjykata e Tiranës ka lënë në burg 3 personat e arrestuar për vrasjen e gjyqtarit të Apelit, Astrit Kalaja. Gjykata ka pranuar kërkesën e prokurorisë së Tiranës, që kishte kërkuar masën e arrestit me burg për Elvis dhe Gjon Shkambin, autorin dhe xhaxhanë e tij, si dhe për rojen e sigurisë së gjykatës Banush Koxhaj. Elvis dhe Gjon Shkambi, gjatë seancës për dhënien e masës së sigurisë, i kanë kërkuar falje familjes së gjyqtarit, ndërsa janë shprehur se ngjarja ka ndodhur si pasojë e tronditjes së fortë psiqike, nga zvarritja e procesit në sistemin e drejtësisë. 

“Ngjarja ka ardhur si pasojë e tronditjes psiqike nga kalavari i gjatë i gjyqeve. Gjykata nuk e ka zgjidhur çështjen ndër vite, institucionet nuk kanë bërë detyrën”, mësohet se ka thënë Elvis Shkambi gjatë seancës. 

Avokati mbrojtës i dy anëtarëve të familjes Shkambi, tha se në një moment të dytë do të kërkojë një ekspertizë psikologjike për klientin e tij. Në sallën e gjyqit, Elvis Shkambi ka deklaruar se armët e mbante prej disa vitesh, pasi sipas tij kishte qenë pjesë e institucioneve të sigurisë, por pa bërë të qartë pozicionin dhe profilin e punës që kishte mbajtur.

Avokati deklaroi gjithashtu se familja ka pasur vështirësi ekonomike dhe borxhe, për shkak të kostove shumë të larta të procesit gjyqësor.

“Ka vuajtur shumë sa i takon çështjeve civile, ka hyrë në shumë borxhe për shkak të një kalvari të gjatë. Tronditja ka qenë për shkak të vendimit të dhënë, duke qenë se do rikthehej edhe njëherë çështja në fillim. Arma nuk ka qenë me leje, por Shkëmbi pretendon se ka punuar në disa institucione që lidhen me sigurinë, por që do të sqarohet në një moment të dytë. Ai kaq deklaroi në seancë. Duhet ti kërkojmë falje familjes Kalaja, ka kërkuar falje për dy të plagosurit dhe për gjyqtarin. Është goditur një gjyqtar, është i pajustifikueshëm, gjyqtari dhe prokurori janë në zbtim të ligjit nuk mund të vriten dhe unë besoj se kjo kambanë alarmi do jetë edhe për sistemin e drejtësisë, që s’duhet të arrijnë në zvarritje të tejskajshme”, tha avokati.

Autori i vrasjes së gjyqtarit Astrit Kalaja dhe plagosjes së Rakip dhe Ervis Kurtajt (babë e bir), 30-vjeçari Elvis Shkambi do të përballet me tre akuza: “Vrasje të funksionarëve publikë”, “Vrasje në rrethana cilësuese në bashkëpunim”, “Mbajtje pa leje e armës”. 

Sipas Prokurorisë, xhaxhai i autorit, Gjon Shkambi dyshohet se kishte dijeni për planin e nipit të tij ndaj palës kundërshtare në procesin gjyqësor dhe se mund të ketë luajtur rol nxitës në tentativën për të vrarë babë e bir, të cilët jetojnë në pronën që ai pretendon në Shkodër. Në të njëjtën kohë, Prokuroria ka ndryshuar kualifikimin fillestar të akuzës, duke hequr nga akuza vrasjen e gjyqtarit. 

Ndërkohë, Banush Koxhaj, roja i sigurisë, akuzohet për shpërdorim detyre. Prokuroria thotë se ai nuk ka ndërhyrë pavarësisht se detektorët kanë sinjalizuar praninë e metaleve gjatë hyrjes së Elvis dhe Gjon Shkambit në ambientet e gjykatës.

Ai nuk ka kryer kontroll fizik ndaj tyre dhe as nuk ka bërë regjistrimin e detyrueshëm në librin e protokollit, siç kërkohet për çdo person që hyn në institucion. Megjithatë në dëshminë e sotme në seancën gjyqësore, Koxhaj ka pretenduar se ka marrë leje për shkak të një shqetësimi shëndetësor te kancelarja e gjykatës, por nuk është zëvendësuar nga një personel tjetër i sigurisë./ZËRI 

Poll

MOS HUMB