TIRANË- Gjykata e Posaçme ka caktuar datën 9 mars, ora 09:30, për seancën e parë të procesit gjyqësor ndaj kryebashkiakut Erion Veliaj dhe të bashkëpandehurve të tjerë të dosjes. Pak ditë më parë, shorti përcaktoi edhe treshen gjykuese, ku kryesuese do të jetë gjyqtarja Ëngjëllushe Tahiri, e cila aktualisht gjyqtare në procei "Plumbi i artë". Ndërsa, dy gjyqtarët e tjerë anëtarë, do të jenë Alma Kodraliu dhe Rudina Palloj.
Tre gjyqtarët e përzgjedhur me short elektronik do të shqyrtojnë çështjen ndaj kreut të bashkisë më të madhe në vend, bashkëshortes së tij Ajola Xoxa, biznesmenit Elman Abule, si dhe disa të pandehurve të tjerë, përfshirë edhe subjekte juridike. Në total, në proces janë 18 persona fizikë dhe disa shoqëri tregtare, të cilët përballen me akuza për pastrim parash.
Më 9 shkurt, Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar vendosi të kalojë për gjykim dosjen në ngarkim të kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, bashkëshortes së tij Ajola Xoxa, si dhe të pandehurve të tjerë.
Veliaj ndodhet në qeli që prej 10 shkurtit 2025. Ai së bashku me bashkëshorten e tij Ajola Xoxa, akuzohen për korrupsion në 9 raste. Mbi Veliajn rëndon gjithashtu akuza për 'shpërdorim detyre', 'pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale', 'futja ose mbajtja e sendeve të ndaluara në institucionin e ekzekutimit të vendimeve me burgim' dhe refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim./ZËRI
