Aktualitet

Gjyqi për shpifje/ Shtyhet seanca Nushi-Vokshi, deputetja: Nuk do hesht, dorëzova prova

Deputetja e PD, në dalje të ambjenteve të Gjykatës, ka njoftuar se ka paraqitur prova të mjaftueshme për të hedhur poshtë akuzat

F.I
Gjyqi për shpifje/ Shtyhet seanca Nushi-Vokshi, deputetja: Nuk do hesht,
Albana Vokshi dhe Vilma Nushi

TIRANË-Në Gjykatën e Posaçme është shtyrë sërish seanca për shpifje mes biznesmenes Vilma Nushi dhe deputetes demokrate Albana Vokshi. Seanca e radhës do të mbahet më 20 maj në orën 13:30.

Deputetja e PD, në dalje të ambjenteve të Gjykatës, ka njoftuar se ka paraqitur prova të mjaftueshme për të hedhur poshtë akuzat dhe ka theksuar se këto akuza janë të pabaza dhe të orkestruara nga njerëz të lidhur me pushtetin për të fshehur realitetin e qeverisjes aktuale.

Albana Vokshi: Sipas leximit të akuzës nga ana e përfaqësuesve të zonjës Nushi në seancën e kaluar, ishin ndërprerë seancat e sotme. Vijoja me kundërshtimin nga ana ime, apo e përfaqësuesve ligjorë, sa i përket akuzave për shpifje që ka bërë zonja Nushi në adresën time. Pra, kam sqaruar në mënyrë të detajuar, duke dhënë prova, fakte dhe dokumentacion të mjaftueshëm që i përgjigjet çdo akuze për shpifje në adresën time. Ajo që duhet theksuar është fakti se është e thjeshtë një mënyrë që përdor Rama, Manastirliu, Ilir Beqja ndaj përfaqësuesve të opozitës për të na detyruar të heshtim për aq kohë sa ka interes publik, dhe unë jam përfaqësuese e popullit, dhe ka interes publik, unë do të vazhdoj të flas. Nuk ka asnjë rëndësi nëse zonja Nushi ngre gjithçka në këmba për të më kërcënuar mua apo familjarët e mia, dhe nuk ka rëndësi se çfarë metodash përdor ajo duke folur me kërcënime të ndryshme, unë nuk do të hesht derisa të bëhet transparencë e plotë për këtë koncesion të check-up-it. Unë do të vazhdoj të flas edhe për koncesionet e tjera, koncesioni i sterilizimit, laboratoret e kështu me radhë. Unë kam paraqitur pranë SPAK prova të mjaftueshme dhe gjithashtu jemi në mbyllje të një kallëzimi të ri, bazuar në prova të reja që kemi si pjesë e komisionit hetimor. Pra, dua të them se po përgatisim kallëzime të reja ndaj Ramës, Manastirliut apo Vilma Nushit.

Deputetja e Partisë Demokratike dhe kryetarja e Komisionit të 'Check Up-it dhe Sterlizimit' është paditur për shpifje nga bizesmenia Vilma Nushi dhe shoqëria e saj “3P Life Logistic”. Padia e depozituar në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për veprën penale të shpifjes, bazuar në nenin 120 të Kodit Penal. Padia është ngritur pas deklaratave që Vokshi bëri si kryetare e Komisionit Hetimor Parlamentar të Shëndetësisë lidhur me dosjen e “Check-up-it”. 

Vokshi akuzoi se vlera e projektit të koncesionit për Check Up ishte 130 milionë euro, ndërsa pala paditëse e kundërshton këtë vlerë, duke thënë se vlera reale është 63 milionë euro për 10 vitet e projektit./ZËRI

Poll

MOS HUMB