TIRANË- Një punonjës i Policisë Bashkiake në Tiranë është arrestuar pasi dyshohet se ka goditur me grusht eprorin e tij gjatë një konflikti në ambientet e institucionit.
I arrestuari është 31-vjeçari Adi Hazizi, i cili dyshohet se ka goditur Skënder Delijan, shefin e Sektorit të Mbikëqyrjes së Territorit.
Sipas informacioneve paraprake, konflikti ka nisur pas transferimit të Hazizit në një sektor tjetër. Burime bëjnë me dije se, pas kësaj lëvizjeje, 31-vjeçari i ka shkuar eprorit të tij në zyrë, ku pas një debati verbal, situata ka agravuar dhe 31-vjeçari dyshohet se e ka goditur me grusht Delijan.
Ky i fundit ka pretenduar se dhuna është ushtruar për shkak të detyrës, pasi ai i kishte komunikuar vendimin për lëvizjen e tij në një tjetër sektor./ZËRI