Aktualitet

Goditja e mafies shqiptare në Spanjë, u zbuluan nga dy hajdutë të ‘rëndomtë’: U vinin GPS edhe makinave të policisë

Në shkurt të vitit 2024, oficerët e Gardës Civile zbuluan njëqind bimë marjuane në shtëpinë e një krimineli të arrestuar për grabitje në Llucmajor. Hetimi mbi kontaktet e tij, çoi në goditjen e një organizate droge të lidhur me anëtarë të mafias shqiptare me bazë në Ibiza

E.K
Goditja e mafies shqiptare në Spanjë, u zbuluan nga dy hajdutë
Stefan Milojeviç, i arrestuar

SPANJË- Thonë se çdo udhëtim i madh nis me një hap të vogël. Në shkurt të vitit 2024, agjentë të Policisë Gjyqësore të Gardës Civile në Algaida të Spanjës arrestuan dy hajdutë të vegjël për një sërë vjedhjesh nëpër biznese. Kur agjentët kryen një kontroll në banesën e njërit prej tyre, zbuluan një plantacion të brendshëm me rreth njëqind bimë marijuane dhe lidhje të paligjshme me rrjetin elektrik. Kështu që e akuzuan gjithashtu për krim kundër shëndetit publik.

Agjentët kërkuan leje nga gjykatësi për të analizuar telefonin e tij celular dhe për të shqyrtuar kontaktet e tij. Gati dy vjet më vonë, pas një hetimi të përbashkët me Policinë Kombëtare, të zhvilluar në fshehtësi të plotë, me qindra përgjime telefonike dhe mbikëqyrje, operacioni “Manso-Enroque” përfundoi me shkatërrimin e një rrjeti të madh që përfshinte të gjitha nivelet e trafikut të drogës: që nga kontaktet e tyre me mafien shqiptare për futjen përmes Ibizës të qindra kilogramëve kokainë e hashashi, transportimin e saj nëpër Europë dhe në Majorka dhe shpërndarjen për klanet e trafikut që më pas e shisnin tek konsumatorët.

Në total, 76 të arrestuar dhe 687 kilogramë kokainë, 2.500 kilogramë hashash dhe 1.5 milionë euro të sekuestruara. Analiza e telefonit të sekuestruar nga një i dyshuar për vjedhje nëpër biznese u mundësoi hetuesve të zbulojnë se ai, me sa duket, merrej me shpërndarjen e drogës me porosi nga një person i identifikuar si Carlos H.V.

Vëzhgimi i këtij personi u lejoi agjentëve të zbulonin se ai menaxhonte disa plantacione marijuane në banesa dhe në prona rurale të zëna pa leje. Dyshohet se ai përdorte njërën prej këtyre fermave, në Llucmajor, për të ruajtur në kontejnerë të groposur sasi të mëdha droge. Ai konsiderohej si lidhja me drejtuesit e organizatës.

Vëzhgimet e kryera në këto prona lejuan identifikimin e një makine në emër të Gonzalo Márquez, një avokat që më vonë u konsiderua si truri i bandës dhe përfaqësues ligjor i Stefan Milojević, udhëheqës i një bande motoristësh dhe i dyshuar si kreu ekzekutiv i organizatës.

Pas ndjekjeve të para, Qendra e Inteligjencës kundër Terrorizmit dhe Krimit të Organizuar (CITCO) zbuloi se njësi të ndryshme të Policisë Kombëtare dhe Gardës Civile po hetonin të njëjtat persona.

Në gusht të vitit 2024 u zhvillua një takim ku morën pjesë anëtarë të Policisë Gjyqësore të Gardës Civile të Algaida-s dhe Njësive të Drogës dhe Krimit të Organizuar (UDYCO) të Policisë Kombëtare në Palma, Ibiza, Valencia dhe Barcelonë.

Në këto takime doli në pah lidhja e organizatës së vendosur në Majorka me një grup kriminal të përbërë nga shtetas shqiptarë të vendosur në Ibiza.

Kur u konfirmua se bëhej fjalë për të njëjtin rrjet kriminal, i përkushtuar ndaj futjes së sasisë së madhe të drogës në Ishujt Balearike për t’i transportuar më pas në Majorka, gadishull dhe Europë, u vendos që hetimet të vazhdonin në mënyrë të përbashkët dhe të koordinuar.

Ky është fillimi i operacionit “Manso-Enroque Bal”.

Vijojnë muaj të tërë punë e heshtur. Qindra përgjime telefonike dhe ndjekje me teknologji të fundit. Hetuesit kapin biseda të të dyshuarve ku ata shpjegojnë hollësisht se si futen sasitë e mëdha të drogës në Ibiza.

Paketat udhëtojnë me anije tregtare dhe hidhen natën në det të hapur, me shenja lundrimi dhe pajisje GPS për t’u lokalizuar. Trafikantët lokalë ndjekin rrugën e anijeve me gomone të fuqishme. Ata mbledhin paketat nga uji dhe i transportojnë në vendin e depozitimit në Ibiza.

Hashashi mbërrin me varka, që gjithashtu zhvendosin drogën në det të hapur. Trafikantët nga Majorka përgjigjen ndaj mafies shqiptare, e cila vendos përfaqësuesit e saj në këto operacione për t’u siguruar që asgjë të mos humbasë.

Nga Ibiza, një pjesë e drogës arrin në Majorka, por pjesa më e madhe shkon në gadishull të fshehur në kamionë, dhe prej andej në pjesën tjetër të Europës.

Në të njëjtën kohë, drejtuesit e bandës kryenin veprime për të pastruar fitimet kolosale që përfitonin. Fillimisht blinin makina luksoze, por kishin probleme për të justifikuar disa të ardhura në banka. Më pas krijuan shoqëri instrumentale, disa me një kapital fillestar prej 1.500 eurosh, me të cilat planifikonin blerjen e hoteleve dhe restoranteve.

Truri i dyshuar pas këtyre veprimeve ishte avokati Gonzalo Márquez. Në një bisedë telefonike me të, Milojevic tallte policët: “Nëse do të dinin që selia e organizatës është në Paseo Mallorca…” (duke iu referuar zyrës së tij). Ata e dinin.

Veprimtaritë e tyre u analizuan deri në detaje nga Grupi i Pastrimit të Parave i Policisë.

Ndërkohë, banda tregon një aftësi të madhe për t’u përballur me hetuesit. Milojevic gjen një sinjalizues gjurmimi në një nga makinat e tij dhe bën që një mekanik të kontrollojë pjesën tjetër. Ata arrijnë të vendosin pajisje GPS edhe në automjetet e policisë për t’i mbajtur nën kontroll, dhe dyshohet se kanë bashkëpunimin e një inspektori kryesor të policisë, i cili i informonte për hetimet, si dhe vendosin një nga bashkëpunëtorët e tyre brenda Policisë së Portit.

Rreziku i rrjedhjeve të informacionit përshpejton operacionin, i cili nis më 11 gusht. Arrestohen një dhjetëra persona, përfshirë ata që konsideroheshin anëtarët kryesorë të rrjetit: Milojevic dhe Márquez. Gjithashtu, arrestohen inspektori i policisë dhe agjenti i Policisë Portuale.

Gjatë muajve pasues ndodhin faza të reja kundër niveleve të ulëta të trafikut të drogës, nga Son Banya deri në Manacor, duke arritur në total 76 të arrestuar./Përshtatur nga DIARIO DE IBIZA

Poll

MOS HUMB