SHKODËR- Një tjetër konflikt në shkolla, por që fatmirësisht është parandaluar, u regjistrua një ditë më parë në Shkodër. Bëhet fjalë për një përplasje mes adoleshentëve nga zona e Vau Dejës, pas përfundimit të orëve të mësimit, ku nxënësit kanë takim për "t'u sqaruar".
Dy grupe adoleshentësh janë konfliktuar fillimisht me grushte, ndërsa më pas njëri prej tyre ka tentuar të sulmojë më thikë të tjerët. Por, duke qenë se i gjithë sherri u regjistrua pranë vendqëndrimit të furgonëve të shkollës, është bërë e mundur parandalimi me ndërhyrjen e qytetarëve.
Sipas burimeve, nukbëhet fjalë për një sherr të çastit mes bashkëmoshatarëve. Konflikti rezulton të ketë nisur një ditë më parë. Rasti në fjalë lidhet me një tjetër episod të ndodhur rreth një javë më parë pranë shkollës “Shejnaze Juka” në Shkodër, ku mbetën të plagosur dy adoleshentë.
Policia ka mbërritur menjëherë në vendngjarje pas marrjes së njoftimit, megjithatë nuk janë zbuluar ende rrethanat e ngjarjes pasi nuk është bërë i mundur bashkëpunimi për dhënien e informacionit./ZËRI