
TIRANË-Ish-Sekretar i Përgjithshëm në Ministrinë e Brendshme dhe sekretar në Ministrinë e Bujqësisë, Dritan Palnika është një nga personat e pyetur nga SPAK në kuadër të hetimeve për sulmin kibernetik ndaj këtij institucioni. Burime për News24 konfirmojnë se Palnika ka lidhje të afërta familjare me Agim Ismailin, ish-drejtor i Përgjithshëm i Burgjeve, i cili akuzohet si anëtar i grupit kriminal që dyshohet se qëndron pas hakerimit të SPAK dhe nxjerrjes së materialeve hetimore të lidhura me figura të politikës dhe biznesit. SPAK dyshon se Ismaili materialet e siguruara nga hakerimi ia ka kaluar kushëririt të tij, Dritan Palnika.
Palnikaj ka shërbyer si Sekretar i Përgjithshëm në Ministrinë e Brendshme në vitet 2018-2019, por po ashtu ka pasur edhe rolin e këshilltarit për një periudhë 2-vjeçare në Kabinetin e Kryeministrisë. Në fillimet e karrierës së tij, ai ka punuar si Avokat, përfaqësues i Institucionit në gjykatë si dhe inspektor jurist pranë Agjencisë së Kthimit të Pronave duke thelluar njohuritë dhe eksperiencën në çështjet e Pronësisë dhe ato Civile.
Në lidhje me çështjen Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion ka dërguar për gjykim dosjen në ngarkim të Arnold Rrokaj, ish-punonjës i Inspektoriatit të Mbrojtjes së Mjedisit, Zambak Gjoni, ish-zyrtar i Drejtorisë së Burgjeve dhe ish-Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Agim Ismaili, të cilët akuzohen për hakerimin e e-maileve të prokurorëve të SPAK.
Ish-Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Agim Ismaili po hetohet në gjendje të lirë, ndërsa dy të tjerët, Rrokaj dhe Gjoni ndodhen nën masën e sigurisë "arrest me burg". Prokuroria e Posaçme sqaron se i pandehuri Arnold Rrokaj, aksesoi në mënyrë të paautorizuar materiale hetimore të Prokurorisë së Posaçme një pjesë e të cilave u dërguan në mënyrë të paligjshme tek të pandehuri Zambak Gjoni. Këto materiale kanë përfunduar edhe në celularin e ish-kreut të burgjeve, Agim Ismaili, i cili më pas i ka shpërndarë tek persona të tjerë, por edhe ka kërkuar në mënyrë të vetëdijshme thellimin e përgjimit të paligjshëm të sistemeve të SPAK./ZËRI