
SHKODËR- Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka arrestuar Safet Bajrin, i cili dyshohet se ka bashkëpunuar me Astmer Bilalin dhe Behar Bajrin për të vrarë Fatbardh Licin. Sipas SPAK, Fatbardh Licit është vrarë si shenjë hakmarrje për vrasjen e ish-policit Boran Bërçana 8 vite më parë së bashku me bashkëjetuesen e tij Silva Ndoci. Kjo sepse Behar Bajri ka bërë fajtor Ibrahim Licin për vrasjen e tyre.
Si ndodhi vrasja e Boran Bërçanës dhe Silva Ndocit?
Më 15 korrik të 2018 u vra ish-punonjësi i policisë Boran Bërcana, 30 vjeç, dhe bashkëjetuesja e tij Silva Ndoci, 25 vjeç,. Ata u ekzekutuan pak pas mesnate teksa ishin në automjetin e tyre. E gjithë ngjarja tronditëse ndodhi para syve të djalit të tyre 2-vjeçar, i cili u gjet në prehrin e nënës. Në vendngjarje u gjetën 23 gëzhoja, ndërsa autorëve iu deshën vetëm 7 sekonda për t’i ekzekutuar.
Djali i vogël dyshohej se ka qenë në gjumë në pjesën e pasme të makinës, por nga të shtënat iu është afruar nënës së tij. Ai ka qëndruar rreth 5 orë brenda makinës, ndërsa fjalët e tij të para që ka thënë kur është gjetur kanë qenë: “Mami, babi, pis...”
Viktimat u gjetën të vrarë nga fqinjët e tyre në orët e para të mëngjesit. Ngjarja e rëndë ndodhi në lagjen “Naim Gjylbegu” në Shkodër. Policia, asokohe dyshonte se autorët kishin organizuar gjithçka dhe kishin pritur deri sa çifti mbërriti në shtëpi, për t’i ekzekutuar.
"Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në kuadër të hetimeve që po zhvillon për procedimin penal nr. 112 të vitit 2019 ka kërkuar pranë Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë caktimin e masave të sigurimit personal me karakter shtrëngues. Gjykata e Posaçme me vendimin nr. 12, datë 17.02.2025, ka vendosur: – Caktimin e masës së sigurimit personal “Arrest në burg“, e parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale ndaj personave nën hetim B.B; A.B dhe S.R, të dyshuar për kryerjen e veprave penale; “Vrasje me paramendim” kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal në dëm të viktimës F.L, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal” parashikuar nga nenet 78/2 e 28/4, 333/a dhe 334/1 të Kodit Penal;
Nga hetimet e kryera në kuadër të këtij procedim penal, i cili lidhet me disa ngjarje kriminale të ndodhura në qytetin e Shkodrës në vitin 2018, rezulton se janë mbledhur prova mbi të cilat është krijuar dyshimi i arsyeshëm se personat nën hetim; B.B; A.B dhe S.R kanë planifikuar, organizuar dhe kanë kryer më 10.08.2018, në qytetin e Shkodrës, vrasjen me armë zjarri të shtetasit F. L, i afërm i shtetasit I.L.
Motivi i vrasjes së tij dyshohet se lidhet ndër të tjera me atribuimin që shtetasi B.B, i bën shtetasit I.L për vrasjen e të njohurit të tij, shtetasit B.B. Në datën 21.02.2025, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit kanë ekzekutuar masat e sigurisë për personat nën hetim B.B; A.B dhe S.R.
Prokuroria e Posaçme falenderon Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit dhe Drejtorinë Vendore të Policisë Shkodër për bashkëpunimin në fazën e ekzekutimit të masave të sigurisë", njofton SPAK.
*Sqarim: Gjithkush prezumohet i pafajshëm derisa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim të formës së prerë./ZËRI