Aktualitet

HEC-i në Kaçinar! Banorët protestë para Ministrisë së Energjetikës: Po na vjedhin ujin, kallëzim kryebashkiakut

Ata pretendojnë se projekti është duke u zbatuar mbi bazë dokumentacionesh të dyshuara si të falsifikuara

F.I
HEC-i në Kaçinar! Banorët protestë para Ministrisë
PAMJET NGA PROTESTA

TIRANË-Banorët e Kaçinarit të Rrëshenit e kanë zhvendosur ditën e sotme protestën para godinës së Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjetikës. Banorët janë kundër ndërtimit të HEC-it në zonë dhe kanë denoncuar dhënien e lejes së projektit, duke kërkuar edhe ndërhyrjen e Prokurorisë me hetime sipas kallëzimit penal.

Gjatë tubimit të sotëm, banorët e Kaçinarit hodhën thirrje se “Uji është jetë, mos na thaj shpirtin” dhe “Jo dorë e zezë mbi Mirditën e bardhë”.

Ata pretendojnë se projekti është duke u zbatuar mbi bazë dokumentacionesh të dyshuara si të falsifikuara, shoqëria koncesionare nuk ka leje mjedisore të vlefshme dhe nuk ka dakordësinë publike të komunitetit. Banorët shprehen se ka edhe një kallëzim penal për këtë rast ndaj kryetarit të Bashkisë dhe pronarit të firmës koncesionare dhe që “duhet të përgjigjen para ligjit dhe drejtësisë”.

“Ata duan të na vjedhin ujin, pasurinë më të çmuar të njeriut. Nuk kemi asnjë lloj informacioni. Banorët nuk u vunë në dijeni për lejen që është e paligjshme. Organet kompetente të hetojnë, është në shkelje të ligjit. Të ndalohet ky projekt dhe ndërtimi i HEC, kemi vënë në dijeni të gjitha institucionet”, thanë mes të tjerash organzatorët e protestës dhe banorët e Kaçinarit.

Banorët kërkuan që punimet të pezullohen deri në një vendim të qartë të drejtësisë, duke theksuar se nuk do të ndalen derisa të mbrojnë të drejtën për ujin dhe mjedisin e tyre./ZËRI

Poll

MOS HUMB