Aktualitet

I mituri humb jetën në spitalin e Shkodrës, motra në gjendje kritike në QSUT. E ëma lind para kohe nga trauma

Spitali Rajonal i Shkodrës përmes një reagimi zyrtar pretendon se mjekët kanë ndjekur të gjitha protokollet mjekësore dhe i kanë kërkuar familjarëve që fëmija të qëndronte në observacion për mbikëqyrje të mëtejshme.

k.m.
I mituri humb jetën në spitalin e Shkodrës, motra në gjendje
Foto ilustruese

SHKODËR- Një i mitur, vetëm 3-vjeç, ka ndërruar jetë në spitalin e Shkodrës. Ngjarja e rëndë ka ndodhur pak ditë më parë por është zbuluar sot, pasi në gjendje të rëndë është edhe e motra e të miturit, vetëm 7-vjeç. Të dy fëmijët nga fshati Mjedë, Shkodër, shkuan në spital në gjendje të rëndë. Për uniformat blu, të dy të miturit ishin të dyshuar me virozë stine. Spitali Rajonal i Shkodrës përmes një reagimi zyrtar pretendon se mjekët kanë ndjekur të gjitha protokollet mjekësore dhe i kanë kërkuar familjarëve që fëmija të qëndronte në observacion për mbikëqyrje të mëtejshme.

Por prindërit kanë firmosur dhe kanë zgjedhur ta marrin në shtëpi të miturin.

"Pas mjekimit, shtetasi S. Hasmegaj dhe 2 fëmijët janë larguar në banesë,"-bën me dije spitali.

Një ditë më pas, gjendja e 3-vjeçarit është përkeqësuar dhe familjarët e kanë sjellë sërish në spital. I mituri është dërguar me urgjencë në reanimacion, por fatkeqësisht nuk ka mundur të mbijetojë.

Ndërkohë, motrës së tij, që po përjetonte simptoma të ngjashme dhe ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore në pediatrinë e Tiranës.

Nuk dihet çfarë ka shkaktuar ngjarjen e rëndë, por Prokuroria e Shkodrës ka nisur hetimet për të përcaktuar shkakun e humbjes së jetës së 3-vjeçarit. Paraprakisht dyshohet se prindërit e të miturve kishin spërkatur magazinat me ilaç kundër minjve, por nuk është e qartë sesi ka ndodhur që të dy të miturit janë helmuar.  Mendohet se ata mund të kenë thithur ose kanë pasur kontakt me helmin, duke shkaktuar simptoma të rënda që çuan në pasoja fatale. Por për të vërtetuar këtë version pritet ekspertiza mjeko-ligjore.

Aktualisht, nuk ka asnjë informacion për gjendjen shëndetësore të nënës së dy fëmijëve, e cila për shkak të traumës dhe gjendjes së rëndë psikologjike ka bërë lindje të parakohshme. Në kushte urgjente ajo i është nënshtruar një operacioni dhe aktualisht, edhe ajo është në gjendje të rëndë për shkak të traumës së shkaktuar nga humbja e fëmijës dhe gjendja kritike në të cilën ka të bijën e mitur./ZËRI 

 

Poll

MOS HUMB