
TIRANË- Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organziuar ka reaguar zyrtarisht pas postimit të kryebashkiakut Erion Veliaj, i cili publikoi transkriptimin e replikave gjatë seancës gjyqësore. Sipas kryebashkiakut, prokurori Ols Dado i është drejtuar me fjalët si “ndyrësirë”, “s’ke turp tregon banesën e prokurorit”. Por, në deklaratën zyrtare GJKKO deklaron se debati i publikuar nga Veliaj nuk është i vërtetë.
Gjykata e Posaçme e hedh poshtë këtë transkript, duke deklaruar se në asnjë moment nuk rezulton të jetë përdorur fjala “ndyrësirë” nga ana e prokurorit.
“Nisur nga interesimi i lartë dhe i vazhdueshëm nga ana juaj, duke paraqitur dhe kërkesa për informacion, në bazë të ligjit Nr. 119/2014 “Për të drejtën e informimit”, i ndryshuar, në lidhje me vërtetësinë e pjesës së procesverbalit të seancës gjyqësore, të datës 12.02.2025, të publikuar ditën e sotme nga personi nën hetim Erion Veliaj, në rrjetin e tij social në “Facebook”, ju bëjmë me dije se nuk është i vërtetë.
Nga verifikimi i bërë në sistemin audio, të seancës gjyqësore për marrjen në pyetje të personave nën hetim Erion Veliaj, etj., të datës 12.02.2025, konkretisht intervali kohor 6:34:02 PM – 6:34:57 PM (të cilit i referohet i hetuari Erion Veliaj në postimin e tij) si dhe nga procesverbali i seancës gjyqësore, nuk rezulton që të jetë përdorur fjala “ndyrësirë” nga ana e prokurorit Ols Dado në asnjë moment”, shkruhet në reagimin e GJKKO-së.
Çfarë ndodhi në seancën e 12 shkurtit?
Erion Veliaj në seancën e zhvilluar në GJKKO më 12 shkurt pati një përplasje me prokurorin Ols Dado, të cilit i ka thënë se është në konflikt interesi për një leje ndërtimi. Gjithashtu, kryebashkiaku i Tiranës është shprehur se Dado ka mbetur i pakënaqur me marrëveshjen për lejen e ndërtimit dhe është hakmarrë ndaj tij.
“Ti je në konflikt interesi, e ke personale me mua. Më je paraqitur dy herë për leje ndërtimi, ke marrë leje ndërtimi nga ana ime. Pasi ke mbetur i pakënaqur më ke thënë “do ta mbash mend”. Ke dy rrugë, ose të largohesh nga kjo çështje, ose të rreshtohesh me ndërtuesit e tjerë këtu,”-i ka thënë Veliaj hetuesit të çështjes. Por teksa Veliaj ka mbajtur fjalën gjyqtari Erjon Bani i ka tërhequr vëmendjen kryebashkiakut për tonin e zërit dhe ruajtjen e solemnitetit para gjykatës.
Në përgjigje, prokurori është shprehur: Po, është e vërtetë që në Bashkinë e Tiranës një ndërtues, zhvillues ka marrë leje për të ndërtuar, zhvilluar një pronë të nënës sime të viteve 1920 në kryeqytet dhe për këtë unë ty të kam falënderuar. Ti ndoshta nuk e ke, por unë e kam këtu telefonin dhe SMS falënderuese që të kam çuar ty për atë leje që ti ke dhënë.
Kryebashkiaku Erion Veliaj u arrestua më 10 shkurt 2025, me urdhër të Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa është lënë në “arrest shtëpie”. Veliaj akuzohet për korrupsion në 9 raste dhe pastrim parash, ndërsa Xoxa për korrupsion në 9 raste, pastrim parash dhe fshehje pasurie. Në pranga është vendosur edhe biznesmeni Elman Abule, ndaj të cilit rëndon akuza e pastrimit të parave. Në "detyrim paraqitje" janë lënë edhe 5 biznesmenë: Gentian Sula; Fatmir Bekteshi; Shkëlqim Fusha; Sokol Kryeziu dhe Meriman Palushi./ZËRI