Aktualitet

“Hesapet” e palara 2025

Një vit ku ‘fletoret’ e vjetra u hapën sërish dhe hallka e zinxhirit të gjatë me  rrënjë në larje hesapesh të vjetra, pazare të prishura dhe aleanca të thyera mes grupeve kriminale…

fjona ibrahimi
“Hesapet” e palara 2025
Foto Ilustruese

Fundi i 2025-ës, por plumbat ‘folën’ sërish për armiqësi kriminale të mbetura hapur prej vitesh. 2025-një vit me emra të rikthyer nga bota e krimit qoftë të ekzekutuar, të burgosur apo të zhdukur pa gjurmë…Një vit ku ‘fletoret’ e vjetra u hapën sërish dhe hallka e zinxhirit të gjatë me  rrënjë në larje hesapesh të vjetra, pazare të prishura dhe aleanca të thyera mes grupeve kriminale…Përfundimi: krimi tronditi sërish vendin me atentate, viktima e plumba drejt të pafajshmëve…këtë herë me vrasje të ndodhura në mes të ditës pa marrë parasysh asnjë dhe asgjë veç objektivit!

Nga jugu në veri krimi ‘veshi’ hartën e Shqipërisë

Saga 30-vjeçare e hakmarrjeje mes fiseve Gjini dhe Reçi në Rrëshen, u rikthye me një ekzekutim në Vlorë në janar të 2025.

Kristjan Marku, i njohur edhe me mbiemrin Bardhi nip i Martin Bardhit të vrarë në Rrëshen në Shtator të vitit 2023, u ekzekutua pranë një karburanti në zonën e Novoselës në Vlorë më 13 janar 2025. I riu po udhëtonte me mjetin e tij, kur autorët i janë afruar dhe kanë qëlluar në ecje e sipër me breshëri plumbash duke i marrë jetën në vend. Në lidhje me atentatin në pyetje u mor Saimir Reçi, sepse viktima bashkë me kushëririn dhe xhaxhanë e tij, e qëlluan me armë zjarri në mes të Rrëshenit në vitin 2023. Saimir Reçi u shpëtoi plumbave por disa muaj më vonë, në një lokal në qendër të qytetit u qëllua për vdekje Martin Bardhi, ndaj Policia po heton edhe pistën e hakmarrjes mes fiseve. 

Një atentat mafioz i mire menduar! Autorët për të kryer atentatin kishte hyrë në vitin 2022 në Shqipëri. Dyshimet janë se autorët janë 3 dhe mund të jenë nga Vlora, ose ekzekutorët kanë kërkuar ndihmë nga vendas të zonës që e njohin mirë territorin që të largohen pa u pikasur nga asnjë patrullë policie. Kjo pistë hetimore është ngritur për shkak të dinamikës së ngjarjes, nga vjedhja e targave të oficerit të policisë, e cila ndodhi natën që do të kryehej vrasja.

Për atentatin ndaj 30-vjeçarit, Kristjan Marku është arrestuar vetëm Erald Cenaj nga Kukësi, i cili dyshohet se ndihmoi autorët. Por ndërsa po bëhet gati një vit nga atentati hetuesit presin të zbardhet vjedhja e targës, për të zbardhur ngjarjen.

Tre muaj më vonë, duke lënë pas jugun tronditet Lezha. Ekzekutohet mbrëmjen e 17 prillit në lokalin e tij Gjovalin Prendi, 64-vjeç, baba ii të ndjerit Roan Brahimi. Dyshohet se kanë qenë 4 autorë, të cilët kanë lëvizur me automjet tip 'Porsche'. Dy prej tyre, të maskuar, kanë dalë nga makina ndërsa njëri ka qëlluar me breshëri automatiku në distancë të afërt, duke e lënë të vdekur.

Vrasja e tij ‘hapi’ çështjet e vjetra mes rivaliteteve mes grupeve kriminale! Viktima është babai i 32-vjeçarit të ndjerë, Roan Brahimi alias Sidorel Prendi, i njohur si rival ii Ervis Martinajt, i cili u ekzekutua më 9 maj të 2024-s në Greqi. Djali i tij është i përfshirë në disa ngjarje kriminale:

Roan Brahimi është një nga personat që dyshohet se ka pasur gisht në antetatin ndaj Ylli Ibrahimit, ku vdiq Klisman Preçi. Shkak për atentatin ndaj Ylli Brahimit u bë mosshlyerja e disa borxheve bixhozi. Gjithçka lindi pasi Ylli e dërgoi Roan Brahimin në një nga bazat ku ishin Ervis Martinaj dhe njerëzit e tij të besuar. Bazë që ndodhet në afërsi të Fushë Kuqes, ku mendohet se Roan Brahimi është dhunuar në mënyrë barbare.E gjitha kjo, për borxhet që lidheshin me lojërat e fatit. Roan Brahimi ishte në kërkim policor edhe për ekzekutimin e Brilant Martinaj dhe miqve të tij, në mbikalimin e Fushë-Krujës, më 17 korrik 2022. Por pozita e tij lidhur me këtë ngjarje nuk u zbardh, ose të paktën deri më tani. Megjithatë duket se e shkuara dhe hakmarrja për borxhet e bixhozit, preku edhe familjarët e tij…

Pak pas mesnatës së 20 majit ekzekutohet në Durrës, 29-vjeçari Ermir Dedja. Viktima u vra pranë banesës së tij sapo zbriti nga makina, në rrugë ka pasur njerëz të tjerë, të cilët në panik kanë nisur që të kërkojnë strehë nga plumbat. Plumbat e kallashnikovit kanë prekur edhe qendrën shëndetësore, që ndodhej pranë vendit të ngjarjes, në lagjen nr.18 të qytetit. Të paktën 5 persona janë të përfshirë në vrasjen e Ermir Dedjas, Erion Ndoni dhe Klodian Berisha janë arrestuar ndërsa Xhuljano Dyrmishi dhe dy persona të tjerë janë shpallur në kërkim për sigurinë e kushteve për kryerjen e vrasjes.

Emri i viktimës merr ‘ngjyrë’ kriminale pas vetën në tetor pas një operacioni të zhvilluar nga SPAK, në Durrës dhe Shijak, ku u godit grupi i Avdylajve dhe i Aleksandër Lahos, i njohur si ‘Rrumi i Shijakut’. Ermir Dedja kërkohej si autori i vrasjes së Edmir Bregut, ngjarje e ndodhur më 21 janarit të vitit 2021 ku u qëllua dy herë në kokë dhe në gjoks sapo zbriti nga makina në lagjen 16 të qytetit bregdetar, me porosi të Astrit Avdylajt për hakmarrjen për tentativën e ekzekutimit të nipit të tij.

Në dosjen e SPAK rezulton se 29-vjeçari kishte kryer veprimtari kriminale për llogari të fisit Avdylaj. Ended he sot nuk dihet shkaku apo ekzekutorët e tij.

Vjeshta e vitit 2025, nisi me ‘gjak e plumba’ për Shkodrën. Në katër ditët e para të Shtatorit u regjistruan 3 viktima dhe dy të plagosur.

Mbrëmjen e 4 shtatorit ekzekutohet Kristian Kola, teksa ishte duke pirë kafe në mes të qytetit, në një lokal te ‘Kinema Republika'. Vrasja ndodhi rreth orës 22:30, ku dy autorë me motor dhe skafanda në kokë kanë qëlluar në drejtim të tij duke e lënë të vdekur në vend. Vrasja një ‘mister’!

Qitësi ishte profesionist, pasi nuk ka shkaktuar dëme anësore, edhe pse shumë afër viktimës ndodhej shoku i tij. Motivet e vrasjes mbeten të paqarta. Pista e parë lidhej me një konflikt të 34-vjeçarit rreth një viti e gjysmë më parë, por pas verifikimeve ajo u hodh poshtë. As konfliktet e mundshme për biznes nuk kanë rezultuar si pistë e fortë. Muajt kalojnë ndërsa për atentatin e Kolës, nuk ka asnjë pistë, asnjë arrestim apo të dyshuar…

Teksa plumbat vërshuan mbrëmjen e 4 shtatorit, mëngjesi i datës 8 do të trondiste sërish Shkodrën.

Të shtëna me armë, të plagosur me barrela, sirena ambulance, klientë që largohen të tmerruar nga lokali...ky ishte mëngjesi i 8 shtatorit në Shkodër. 29-vjeçari Ragip Gila hapi zjarr në një lokal pranë Bashkisë së Shkodër, ku Armando Pali dhe Erogen Brajoviçku ishin duke pirë kafe. Por breshëria e plumbave kapi 5 persona, mes tyre kamarieren 25-vjeçare Meri Kaceri dhe një grua që ndodhej rastësisht në vendngjarje.  

Shënjestër e atentatit ishte 43-vjeçari Erogen Brajoviç, allias Vaso, i cili është anëtar i fisit Bajri, vëllai i Denis Brajoviç (Bajri). 43-vjeçari mbeti i plagosur tre plumba në trup, ndërkohë, i vdekur mbeti Armando Pali, punojës i IKMT-së dhe ish-anëtar i Këshillit Bashkiak në Shkodër, dhe Liridon Kraja (Lushi) 31-vjeç, truproja e Erogen Brajoviç.

Shënjestër ishte Erogen Vaso alias Erogen Brajoviç, vëllai i Denis Bajroviç (Bajri). Dy vëllezër të njohur për lidhjet e tyre me krimin, njëri i akuzuar për vrasjen e Gjin Ndojit i ekstraduar nga Dubai rreth një muaj më parë dhe tjetri, pre e atentatit.

Saga e përgjakshme Lici-Bajri u rindez sërish! Ngjarja me bilancin tragjik, ktheu pas në kohë në masakrën e Dobraçit.

Në pyetje u mor Mustafa Lici, i cili pohoi se banesa në Kiras, ku u gjetën armë dhe municione pas krimit të ndodhur ka qenë e motrës së tij, por ajo ndodhet jashtë vendit, dhe e kishte dhënë me qera. Krahu i djathtë i Licëve, Barush Bregu dhe një 17-vjeçar janë shpallur në kërkim, si bashkëpuntorë në masakrën e ndodhur mëngjesin e 8 shtatorit në Shkodër.

Ashtu si filloi vjeshta e 2025 pasoi në katër atentate të tjera…

Nëntori filloi me një ekzekutim në Selenicë dhe pasoi në një seri ngjarjesh tronditëse.

1 Nëntor-Vritet në derën e shtëpisë me 6 plumba Dalan Alliaj

Dalan Gjollek Alliaj 36-vjeç u gjet pa shenja jete nga familjarët e tij mbrëmjen e 1 nëntorit në fshatin Gjormë të Selenicës. Bertil Alliaj ishte rikthyer në Gjormë 2 ditë më parë,dhe për tiu shmangur arrestimit nga policia përdorte një pasaportë të falsifikuar me identitetin e një shtetasi nga Kosova. Ai thirri mbrëmjen e të shtunës Dalan Alliaj, 36 vjeç babai i 2 fëmijëve për të sqaruar një bisedë, takim që përfundoi tragjikisht. Bertil Alliaj rezulton si një nga personat më të kërkuar nga drejtësia për masakrën e Çolës në 2015, për të cilën ishte dënuar me 35 vite burg në mungesë. Në këtë ngjarje mbetën të vrarë 3 të rinj, Akil Hasanaj, Ardi Velaj si dhe Albi Limaj. 36-vjeçari u ekzekutua nga djali i xhaxhait Bertil Alliaj, i cili u arrestua 5 orë mbas ngjarjes. Ky i fundit i dënuar në mungesë me 35 vite burg për vrasje dhe rezultonte i shpallur në kërkim si autor i masakrës së Çoles ku mbetën të vrarë tre të rinj. Edhe pse në kërkim për vrasje, Bertil Alliaj arriti që të qëllonte për vdekje kushëririn e tij, Dalan Alliaj.

11 Nëntor-10 ditë më pas ekzekutohet në mes të ditës në aeroportin e Rinasit, Gilmando Dani dhe shoqëruesi i tij, punonjësi i AMP, Muçi Shaljani

Gilmando Dani, mik dhe bashkëpunëtor i Emiljano Shullazit u ekzekutua mesditën e 11 nëntorit me breshëri plumbash pranë aeroportit 'Nënë Tereza', teksa i plagosur rëndë mbeti edhe miku i tij, që e shoqëronte Muçi Shaljani Sheqeri, agjent i AMP-së. Ky i fundit ndërroi jetë katër ditë pas atentatit, duke çuar bilancin në 2 viktima. Ndaj automjetit të tyre 'Benz' u qëllua nga persona të paidentifikuar me një mjet tip “Toyota Yaris”, e cila u gjet e djegur pak minuta pas ngjarjes në Fushë Krujë. Autorët e maskuar dhe të veshur me uniforma që ngjanin me ato të policisë, kanë qëlluar në drejtim të mjetit, duke e ndaluar atë në vend. Më pas, një prej autorëve ka zbritur nga makina, ka rimbushur armën dhe ka qëlluar sërish në drejtim të Gilmando Danit, i ulur në sediljen e pasagjerit. Gilmando Dani sapo kishte mbërritur me mikun e tij në Shqipëri nga Barcelona, Spanjë.

25 Nëntor-Atentat në Lushnjë- qëllohet drejt makinës së Julian Sulës, i njohur si 'Juli i Pashakos' 

Mesditën e 25 nëntorit në Lusnjë regjistrohen të shtëna me armë zjarri, fatmirësisht pa viktima. 

Persona ende të paidentifikuar qëlluan me breshëri kallashnikovi mesditën e 25 nëntorit drejt automjetit të 45-vjeçarit Julian Sula. Dy autorët e kapur nga kamerat e sigurisë me kapele dhe të maskuar kanë dalë nga mjeti me kallashnikov në duar dhe kanë qëlluar drejt automjetit tip 'BMW', në të cilin ndodhej 'Juli i Pashakos'. Pas atentatit autorët u larguan drejt fshatit Lifat aty ku braktisën mjetin me targa greke dhe i vunë flakën. 

"Juli i Pashakos” nga të gjithë njihet si një nga kundërshtarët e betuar të Aldo Bares, pjesëtarit të bandës së Lushnjes. Pistat ku po hetohen janë disa duke nisur nga e kaluara e Julian Sulës në vitin 1997 e deri më sot, si lidhjet e tij me trafikun e drogës, dhe bizneset. Të shoqëruarit kanë mohuar përfshirjen në ngjarje dhe janë lënë të lirë. Por sërish asnjë autor.

30 Nëntor-Ekzekutohet në Elbasan biznesmeni Mondi Mëhalla në një atentat pranë karburantit “Xhaxhi OIL” në pronësi të tij

Biznesmeni 43-vjeçar Edmond Hyka alias Mondi Mëhalla u ekzekutua mbrëmjen e 30 nëntorit në mjetin e tij 'Range Rover', i cili gjendej i parkuar pranë karburantit "Xhaxhi Oil" në pronësi të tij, ndërsa autorët janë larguar në drejtim të Librazhdit. Sipas hetuesve, autorët janë siguruar për prezencën e objektivit dhe kanë pritur deri sa ai të dilte jashë dhe të hipte në automjetin e tij "Range Rover". Menjëherë sapo ai është ulur në makinë, autorët i janë afruar me një "Audi" të zi, ku njëri prej tyre ka zbritur nga automjeti dhe ka qëllluar disa herë në drejtim të biznesmenit. 

Në lidhje me ekzekutimin, Policia ka vënë në pranga edhe Xhino Agon, ish-ortakun e Mëhallës, i cili akuzohet se iu ka dhënë hua mjetin dy prej autorëve të përfshirë në ngjarje, të shpallur në kërkim Amarildo Kola dhe Marselo Arani, si dhe rojen e karburantit, shtetasin Kujtim Pisha, i cili akuzohet për moskallëzim krimi. Por rrënjët shtrihen deri në Dubai!

Oklid El Ouejdi, i cili në qytetin e Elbasanit njihet me nofkën “Kiço” dhe “Oliver” dyshohet për organizimin dhe financimin e vrasjes së Mëhallës. Ai njihet dhe si nipi i një personazhi që thirret “Timi” i Elbasanit.  Mësohet se “Kiço” është personi që 10 ditë para vrasjes së Mondi Mëhallës, është dhunuar nga ky i fundit. Dhunimi fizik ka ndodhur në ambientet e karburantit “Xhaxhi Oil”. Shkak i konfliktit është bërë një marrëveshje tregtare me vlerë 700 mijë euro. Aktualisht "Kiço" nuk është arritur të lokalizohet dhe shoqërohet në polici për të dhënë shpjegime. Ai ka dalë në Maqedoninë e Veriut, vend në të cilin ka shumë njohje shoqërore mes të cilëve dhe Sheval Muharremin që në Maqedoni njihet si “Bosi i Gërçecit” që jeton në Dubai.

2025-a nuk u largua si një vit që u mbyll, por si një paralajmërim se cikli… mbetet i hapur./ZËRI

Poll

MOS HUMB