SHKODËR- Banorët e Rrjollit të Velipojës vijojnë protestën e tyre prej disa ditësh kundër projektit të resorti turistik nga biznesmeni Bashkim Ulaj, ndërsa një situata e tensionuar është regjistruar sërish sot. Gjatë protestës, banorët janë përplasur me forcat e policisë, pas ndërhyrjeve të këtyre të fundit.
Situata ka përshkallëzuar, teksa gjatë mometeve të tennsionit mes uniformave dhe blu dhe banorëve, njëri prej tyre ka mbetur i lënduar dhe është transportuar drejt urgjencës së Spitalit Rajonal të Shkodrës për ndihmë mjekësore.
Ndërkohë që burra, gra, të moshuar dhe fëmijë, i janë bashkuar protestës, të cilët janë përfshirë në momente tensioni me policinë. Britma dhe ulërima dëgjohen në pamjet e publikuara.
“Hiqi duart, jam shtatzënë!”, dëgjohet një grua, e cila i drejtohet efektivëve të policisë.
“Kam burrin e paralizuar në shtëpi dhe dola të kërkoj të drejtën time. Jemi të varfër dhe vjen i pamunduri të na e marrë tokën”, dëgjohet një tjetër qytetare, banore e zonës.
Banorët e Rrjollit prej disa ditësh kanë protestuar duke kundërshtuar ndërtimet në pronat e tyre. Banorët protestojnë kundër ngritjes së resortit turistik, duke e cilësuar si grabitje të pronës së tyre nga kjo kompani. Ata shprehen se zotërojnë dokumentacion të rregullt për 400 dynym tokë me vendim gjykate të vitit 2006.
Një fshat turistik me vila e hotele luksoze do të ndërtohet në kufi mes Ranës së Hedhun dhe zonës Baks-Rrjoll në Shkodër dhe ka sipërfaqe prej 147.2 hektarësh. Në 31 dhjetor të vitit 2024 biznesmeni Bashkim Ulaj, së bashku me dy vëllezërit e tij Astrit dhe Ahmet Ulaj morën statusin e veçantë “investitor në strukturë akomoduese me 5 yje, status special” për ndërtimin e resortit turistik Blue -Borgo” në bregdetin e Velipojës./ZËRI