
TIRANË- Ka raste të pafundme që janë ndjekur nga autoritetet që kanë përfunduar me vjedhjen e miliona lekëve apo dhe me ngacmime seksuale.
Arta Selimi jeton në Durrës dhe premton se të bën me fëmijë. Shumë çifte të dëshpëruar nga fakti që nuk janë bërë dot prindër janë drejtuar tek ajo për të marrë ‘bekimin’ dhe dy karamele e më pas janë përcjellë me fjalët: Zoti do t'ua bëjë mbarë!
Ajo këshillon burrin që karamelet t’i hajë në të njëjtën kohë, në një orë fikse, por më parë duhet të mendojë një dëshirë, e cila do t'i realizohet.
Deri më tani nuk ka ndonjë studim shkencor që të tregojë se karamelet mund të të bëjnë më pjellorë.
“Na i jep paratë që ke në shtëpi që t’i këndojmë dhe do shohësh që do të të shtohen”. Ky ka qenë mashtrimi që tri fallxhore, banore të komunitetit rom, i kanë bërë një të moshuare në fshatin Lundër të Tiranës, duke i vjedhur paratë e pensionit të saj e të të shoqit dhe pak kursime që kishin në shtëpi.
Ngjarja ka ndodhur vite më parë, në vitin 2013, por nuk është e vetmja. Të treja gratë me truket e tyre arritën tu merrnin të moshuarve 3 milionë lekë të vjetra, vjedhje që u kuptua vetëm pas largimit të tyre nga banesa dhe pasi koka e të moshuarve ishte kthjelluar nga fjalët e bukura e mrekullitë e premtuara prej këtyre mashtrueseve.
Të tjerë fallxhorë ndihmojnë edhe bosët e krimit.
Dushi nga Tirana bën që aktiviteti i trafikut të drogës të mos hasë në probleme me autoritetet. Ai rekomandon çdo të përfshirë në këtë aktivitet që të hajë dy kokrra sheqer dhe me dy të tjera të spërkatë mallin.
Ilmiu mbron ‘skifterët’ nga autoritetet në Itali dhe bën që ata të vazhdojnë punën të qetë.
Monda nga Roskoveci, ndihmon në prodhimin e hashashit në Skrapar.
Psikologia Jonida Haxhiu: Në shumë raste kemi familjarë të cilët drejtohen në vende të tilla, u drejtohen individëve të tillë me shpresën se do të bëjnë diçka ndryshe në jetën e tyre, me shpresën se do të zgjidhin një situatë problematike në jetën e tyre, një vështirësi financiare, një problem në familje, një familjar që po kalon një situatë të vështirë familjare, një familjar që kalon një situatë të vështirë sociale, mund të jetë në burg, mund të ketë probleme me ligjin, mund të jetë në probleme me bashkëshortin, me bashkëshorten dhe në jo pak raste, janë familjarët ata që shkojnë, që çojnë objekte të këtyre përsonave, tek ky personi që ndikon, në mënyrë që t’ia hapin fatin, t’i heqin të keqen, t’i largojnë të këqijat, t’i largojnë energjinë negative.
Nora në Gramsh mbahet për suksesin që të sjell në karrierë.
Ndërsa Fatmir Lloçi është një person që është vetëquajtur hoxhë e shërues, i cili ushtron aktivitetin në banesën e tij në Tiranë. Ai është denoncuar shumë herë se nën petkun e atij që bën mirë në emër të “Zotit”, ngacmon seksualisht mjaft gra e vajza.
Për të një njëjtë gjë, është denoncuar dhe një “shërues” në fshatin Bilaj Fushë-Krujë afër Bubqit. Nikollë Doda thotë se sheh në gjëra të shenjta dhe zgjidh hallet e njerëzve. Doda i fton gratë e reja për të kryer marrëdhënie seksuale, si mënyra më e mirë për t’u shëruar nga shqetësimet. Doda tregon se shumë gra shkojnë tek ai dhe ka ndihmuar shumë njerëz, por më parë ai u kërkon atyre raporte seksuale. E ndoshta kur gjenden përballë situatave të tilla, mjaft ekstreme, ata që kërkonin medoemos një zgjidhje, reflektojnë.
Psikolgia Jonida Haxhiu: Jeta është e mbushur me ulje, me ngritje, me momente pozitive, me momente negative. Dhe në fund, në fakt ndryshimet nuk erdhë nga personi që po këto ritualet, ndryshimet erdhën sepse do ndodhte ndryshimi. Por, të kuptuarit dhe të ndërgjegjësuarit, varet nga shumë faktorë, sa personi është i zhytur në problem sepse sa më i zhytur të jetë personi në problem, aq të vështirë e ka dhe të ndërgjegjësohet që gjërat ndodhin sepse ndodhin dhe nuk ndodhin sepse dikush ndikoi nëpërmjet ritualeve.
Të gjitha këto na tregojnë se në asnjë moment fallxhori nuk mund të ofrojë një zgjidhje, në asnjë moment, askush nuk mund të ofrojë ndryshojë të ardhmen apo rrethana të caktuara.
Psikologia Jonida Haxhiu: Çelësi dhe kyçi kryesor për t’i zgjidhur këto probleme, është vetja e tyre, është angazhimi ose nëse situata është e tillë që angazhimi nuk funksionon, atëherë të kuptuarit që kjo gjë ka përfunduar dhe të pranuarit e përfundimit të një situate. Është shumë e rëndësishme që njerëzit të kuptojnë që duhet të përshtatemi me situatën që jeta na sjell, që realiteti na sjell.
Në fund të gjithçkaje gratë përfundojnë të zhgënjyera sepse në fund rezulton që marrëdhënia nuk rikthehet, partneri nuk rikthehet dhe ato kanë humbur një investim shpirtëror dhe gjithë kjo energji e humbur, sjell në fund një ezaurim, një lodhje.
Psikologia Jonida Haxhiu: Lumturia nuk varet nga një person, nga një marrëdhënie, nga një bashkëshort, nga një partner. Lumturia është brenda secilit prej nesh, në çdo gjë që në bëjmë. Sa më vonë ta kuptojë personi këtë, aq më të vështirë do ta ketë edhe përballjen edhe kthimin në realitet. Në fund të fundit edhe me përballjen me veten, fajësimin ndoshta dhe të vetes apo të rrethanave që ka bërë të besojnë një person të tillë.