
GJIROKASTËR- Në Gjirokastër janë shënuar dy raste që prekin zgjedhjet e lira dhe sistemin demokratik të tyre. Rasti i parë u njofua më herët nga Policia e Gjirokastrës ku, vula zyrtare e Komisionit Zonal të Administrimit të Zgjedhjeve (KZAZ) ka humbur në fshatin Grapsh. Rasti është referuar menjëherë në Policinë e Gjirokastrës nga sekretari i qendrës në zonë. Sapo ka konstatuar mungesën e vulës më 21 prill, 36-vjeçari me inicialet Th. K., ka bërë kallëzimin e ngjarjes. Çështja po hetohet nga Prokuroria e Gjirokastrës.
Njoftimi i Policisë:
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Stacionit të Policisë Dropull-Libohovë referuan materialet në Prokurori, pasi shtetasi Th. K., 36 vjeç, banues në fshatin Bularat, sekretar i qendrës së KZAZ në fshatin Grapsh, ka kallëzuar se më datë 21.04.2025, rreth orës 20:30, ka konstatuar mungesën e vulës së KZAZ-së. Vijojnë hetimet për rastin. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.
Rasti i dytë që Prokuroria ka nisur hetimet ka të bëjë me kanosjen ndaj një shtetasi për shkak të pjesëmarrjes në zgjedhje. Organi i akuzës thotë se nisi hetimet pas denoncimit të një qytetari, i cili kishte deklaruar se ishte kërcënuar në rrjetet sociale për shkak se mbështeste një subjekt të caktuar politik. Ngjarja është denoncuar më 22 prill, ku shtetasi E.S. pretendon se është kërcënuar nga A.M në rrjete sociale.
Njoftimi i Prokurorisë;
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Gjirokastër ka regjistruar dy procedime penale në lidhje me veprat penale që prekin zgjedhjet e lira dhe sistemin demokratik të zgjedhjeve.
Mbi bazën e materialeve të referuara nga Drejtoria Vendore e Policisë Gjirokastër, u regjistrua më datë 23.04.2025, procedimi penal nr.248, për veprën penale “Dëmtimi me dashje i materialit zgjedhor”, të parashikuar nga neni 326/a i Kodit Penal, mbi bazën e kallëzimit të një prej anëtarëve të ZAZ Dropull, se mungonte vula e kësaj ZAZ-je. Në kuadër të këtij procedimi janë kryer veprimet e para procedurale dhe është ngritur grupi hetimor, i cili po kryen me prioritet të gjitha veprimet e nevojshme me qëllim zbardhjen e plotë të kësaj çështjeje.
Në të njëjtën ditë, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, mbi bazën e kallëzimit të shtetasit E.S., ka regjistruar procedimin penal nr.249, për veprën penale “Kanosja apo dhunimi ndaj pjesëmarrësve në zgjedhje”, të parashikuar nga neni 329/1 i Kodit Penal.
Nga të dhënat, rezulton se më datë 22.04.2025, shtetasi E.S. ka kallëzuar faktin se shtetasi A.M e ka kërcënuar nëpërmjet rrjeteve sociale. Kanosja ka ardhur si reagim i opinioneve që shtetasi E.S ka shprehur lidhur me një subjekt zgjedhor. Sipas kallëzimit, pretendohet se shtetasi A.M ka përdorur jo vetëm gjuhë kërcënuese por edhe imazhe intimiduese. Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër po vijon hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat e ngjarjes.
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, shpreh angazhimin e plotë për vënien para përgjegjësisë ligjore të personave që kryejnë vepra penale që prekin zgjedhjet e lira dhe sistemin demokratik të zgjedhjeve./ZËRI