Aktualitet

15-vjeçari hakeron 6 institucioneve në Vlorë: E bëra për kuriozitet! Policia: Tentoi edhe Kuvendin dhe SHISH

Pas hetimeve të kryera, është identifikuar dhe vënë në hetim një 15-vjeçar nga Vlora.

k.m.
15-vjeçari hakeron 6 institucioneve në Vlorë: E bëra
Foto ilustruese

VLORË- Një 15-vjeçar është nën hetim pasi Policia e Vlorës ka zbuluar një rast të ndërhyrjes së paautorizuar në sistemet kompjuterike. Ndërhyrja është bërë në disa institucione shtetërore. Pas hetimeve të kryera, është identifikuar dhe vënë në hetim një 15-vjeçar nga Vlora. Sipas asaj që bën me dije Policia, i mituri, gjatë muajit mars 2025, dyshohet se ka ndërhyrë në të dhënat kompjuterike të disa institucioneve shtetërore, përfshirë email-e dhe faqe zyrtare. Kështu i ka nxjerrë nga funksioni për disa periudha të ndryshme kohore. Nga hetimet e deritanishme, nuk ka rezultuar vjedhje të të dhënave apo dokumenteve konfidenciale nga këto sisteme.

Lidhur me ngjarjen, po ashtu raportohet se i mituri, për të cilin pretendohet se është i diagnostifikuar me spektrin e autizmit, ka tentuar që të organizojë sulm haker edhe ndaj Kuvendit dhe SHISH, por nuk ka arritur. Nga hetimet e deritanishme ka rezultuar se i mituri ka vepruar i vetëm, ndërsa i pyetur nga Policia ka deklaruar se sulmin e ka bërë për "kuriozitet".

NJOFTIMI I POLICISË:

DVP Vlorë

Finalizohet operacioni “The Accountant”, goditet një rast i ndërhyrjes së paautorizuar në sistemet kompjuterike të disa institucioneve shtetërore. Identifikohet, pas një hetimi 1-mujor me metoda speciale, dhe vihet në hetim një i mitur si autor i dyshuar. Sektori i Hetimit në Drejtorinë Vendore të Policisë Vlorë, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, dhe me mbështetjen e Drejtorisë së Hetimit të Krimeve Kibernetike në Departamentin e Policisë Kriminale në DPPSH dhe Shërbimit Informativ Shtetëror, Dega Vlorë, finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “The Accountant”.

Ky operacion u zhvillua pas një hetimi intensiv njëmujor, të ndjekur me metoda speciale hetimi, në kuadër të goditjes së krimeve kibernetike. Si rezultat i hetimeve, u dokumentua veprimtaria e kundërligjshme e një shtetasi të mitur 15 vjeç, banues në Vlorë, i cili dyshohet se gjatë muajit mars 2025 ka ndërhyrë në mënyrë të paautorizuar në të dhënat kompjuterike të disa institucioneve shtetërore (email-e dhe faqe zyrtare), duke shkaktuar ndërprerjen e funksionimit të tyre për periudha të caktuara kohore.

Nga hetimet e deritanishme nuk ka rezultuar vjedhje të të dhënave apo dokumenteve konfidenciale nga këto sisteme. Gjatë operacionit u sekuestruan disa pajisje, të cilat do t’i nënshtrohen ekzaminimeve të thelluara teknike, konkretisht: 5 kompjuterë laptop, 6 aparate celularë dhe 1 dron. Vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie./ZËRI

Poll

MOS HUMB