TIRANË- Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka transferuar sot Dritan (Gramoz) Rexhepin nga paraburgimi i "313" në Tiranë, për në burgun e Fierit. Zhvendosja e Rexhepit u bë shkak edhe për ndryshimin e ditës së seancës ndaj tij dhe të bashkëpandehurve në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Duke marrë në konsideratë që sot duhet të shkonte në Fier, Rexhepi kërkoi përmes avokates së tij që seanca të mos zhvillohej sot, por ditën e hënë.
Megjithatë, seanca e sotme në GJKKO u shty për shkak të mungesës së një prej avokatëve mbrojtës të të pandehurve. Dalja e parë në sallën e gjyqit për Rexhepin do të jetë më 3 shkurt, ora 14:00.
I shumëkërkuari i drejtësisë shqiptare, Dritan Rexhepi i njohur edhe me emrin Gramoz mbërriti në vendin tonë mesditën e 8 janarit, pasi u ekstradua nga Turqia. Pasi mbërriti në aeroportin e Rinasit u transferua në burgun '313'. Rexhepi akuzohet për tre vepra penale: rrëmbimi dhe zhdukja e Jan Prengës, vrasje në Krujë vite më parë, falsifikim dokumentesh në Fier. Jan Prenga u rrëmbye në zonën e Kamzës në Janar të vitit 2020, ndërkohë që edhe pse kanë kaluar gati 4 vite nga ky krim, trupi nuk është gjetur ende, ndërkohë që SPAK ka mbyllur hetimet, ku dhe ka akuzuar zyrtarisht Rexhepin si porositës së rrëmbimit të 47-vjeçarit nga Kamza.
Përmes pamjeve filmike është provuar se Jan Prenga u vra në makinë, ndërkohë që trupi i tij u dërgua në resortin Golden në Shijak, në pronësi të vëllezërve Hajri. Dritan Rexhepi, së bashku me shtetasit Gentjan Funiqi, Martin Bleta dhe Korado Keshteja, u akuzuan zyrtarisht: për kryerjen e veprave penale “Rrëmbim apo mbajtje peng e personit” kur është shkaktuar vdekja, parashikuar nga nenet 109 paragrafi i tretë dhe 28/4 të Kodit Penal, “Mbajtje pa leje e armëve luftarake”, parashikuar nga nenet 278 paragrafi i parë dhe 28/4 i Kodit Penal, “Fshehja dhe asgjësimi i kufomës”, parashikuar nga nenet 303 dhe 28/4 i Kodit Penal, “Grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga neni 333a/1 dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga neni 334/1 i Kodit Penal.
I konsideruar si “mbreti i kokainës”, Dritan Rexhepi u arrestua më 20 nëntor 2023 me dokumente false kolumbiane me emrin Benjamin Omar Perez Garcia, në një vilë luksoze, brenda së cilës u gjetën para dhe bizhuteri. Në Turqi mundi të hyjë përmes aeroportit të Stambollit, ndërsa autoritetet italiane e gjurmuan dhe njoftuan kolegët turk që e ruajtën për disa ditë në vilë dhe pasi u bindën ndërhynë për kapjen e tij./ZËRI
