
TIRANË-Kreshnik Haxhiaj, 39 vjeç, i dënuar nga GJKKO për veprimtari kriminale në fushën e terrorizmit, është deportuar nga Spanja. Në vitin 2024, GJKKO e ka dënuar Kreshnik Haxhiaj me 4 vjet e 6 muaj burgim, për veprën penale “Nxitja, thirrja publike dhe propaganda për kryerjen e veprave me qëllime terroriste”.
Faktet datojnë nga marsi i vitit 2021 kur i dënuari postoi në profilin e tij në Facebook:
Selam aleykum kush mendoni se ka guxim të ndezë bombat!? Për të filluar një nga një. Nga Qendra e Paraburgimit 313, Jordan Misja, drejtori, shefi i policisë, avokati, edukatorja, punonjësja sociale, Avokati i Popullit, Ministri i Drejtësisë, agjentët e policisë gjyqësore, prokuroria, gjykatat, kryeministri, presidenti. Secili prej këtyre, i ndihmuar nga SHKB Elhamdulilah, unë jam mysliman dhe e njoh Allahun dhe i frikësohem vetëm atij. Ndërsa krijesat e tij nuk mund të më prekin as një fije floku, sepse më mjafton vetëm Allahu. Dhe sa mbrojtës i mirë është Allahu, me emrin e tij nuk ka njeri që mund të të lëndojë, sepse unë besoj në të.
Njoftimi i policisë:
Finalizohet operacioni policor i koduar “Deportimi”.
Operacioni nga Drejtoria e Antiterrorit, në bashkëpunim të ngushtë me Departamentin e Marrëdhënieve Ndërkombëtare dhe me Policinë e Spanjës.
Deportohet nga Spanja, një shtetas i dënuar me 4 vjet e gjysmë burgim, për veprimtari kriminale në fushën e terrorizmit.
Si rezultat i koordinimit të veprimeve operacionale me Departamentin e Marrëdhënieve Ndërkombëtare të DPPSH-së dhe me Policinë e Spanjës, Drejtoria e Antiterrorit finalizoi operacionin “Deportimi”, gjatë të cilit u deportua nga Spanja, shtetasi Kreshnik Haxhiaj, 39 vjeç.
39-vjeçari i kapur në Spanjë, ishte në kërkim ndërkombëtar, sepse në vitin 2024, Gjykata e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar e ka dënuar me 4 vjet e 6 muaj burgim, për veprën penale "Nxitja, thirrja publike dhe propaganda për kryerjen e veprave me qëllime terroriste".
Materialet procedurale iu referuan SPAK-ut, për veprime të mëtejshme./ZËRI