Aktualitet

Shtyhet gjyqi për 'Sterilizimin', Beqaj refuzon avokatin kryesisht: Hajde më tako në burg, na paske lexuar 50 mijë faqe dosje ti...

Në seancën e sotme, Beqaj ka shfaqur shenja mosbesimi se avokati i caktuar nga Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar e njihte dosjen e tij.

k.m.
Shtyhet gjyqi për 'Sterilizimin', Beqaj refuzon avokatin
Ilir Beqaj

TIRANË- Shtyhet gjyqi për 'Sterilizimin'. Shkak për shtyrjen është bërë refuzimi që ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj i ka bërë avokatit kryesisht, Florian Bonjaku, pas mungesës së avokatit të tij, Ermal Yzeiraj. Në seancën e sotme, Beqaj ka shfaqur shenja mosbesimi se avokati i caktuar nga Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar e njihte dosjen e tij. Po ashtu, ka theksuar se avokati as nuk e ka takuar në qelinë e paraburgimit ku edhe ndodhet prej disa muajsh tashmë.

"Ti që paske lexuar 50 mijë faqe të dosjes time, hajde më tako te burgu, hajde një ditë në Durrës,"-mësohet se i ka thënë ish-ministri-avokatit. Në këto kushte, Gjykata e shtyu seancën për dy javë, për t’i dhënë kohë Florian Bonjakut të njihet me aktet, ndërsa pezulloi afatet e paraburgimit gjatë kësaj kohe për të gjithë të pandehurit.

Gjykata e Posaçme ka kaluar për gjykim dosjen “Sterilizimi”. Të pandehurit Ilir Beqaj, Klodian Rrjepaj dhe Ilir Rrapaj do të përballen në gjyq me akuzën e “vjedhjes duke shpërdoruar detyrën” dhe “grup i strukturuar kriminal”. Beqaj do të gjykohet për akuzën e vjedhjes duke shpërdoruar detyrën në kuadër të grupit të strukturuar kriminal në procedurat e koncesionit dhjetëvjeçar të sterilizimeve kirurgjikale prej 100 milionë eurosh.

Lidhur me dy koncensionet në Shëndetësi, ish-ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj është vënë nën hetim nga SPAK prej më shumë se një viti. Beqaj është i dyshuar për shpërdorim detyre lidhur me 2 tendera të firmosura, për sterilizimin dhe check up. Këto 2 çështje janë duke u hetuar nga 3 prokurorë. Koncensionin e sterilizimit po e hetojnë prokurorët Edvin Kondilli dhe Ened Nakuçi, ndërsa atë të 'check up' po e heton prokurorja Elida Kaçkini. SPAK ka përfunduar hetimet për ish-ministrin e Shëndetësisë, Ilir Beqaj edhe për abuzimin me fondet e Agjencisë Shtetërore të Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës (SASPAC), për çështje të cilën ndodhet në burg prej datës 4 korrik 2024./ZËRI

Poll

MOS HUMB