VLORË-Gjykata me kërkesë të Prokurorisë së Vlorës i ka sekuestruar pasuritë 40-vjeçarit Arjan Rrokaj, i dënuar më parë për trafik droge dhe pjesëmarrje në organizata kriminale. Bëhet fjalë për tre apartamente, tre automjete dhe një njësi (garazh ose zyra), me vlerë 400 mijë euro. Rrokaj ishte dënuar nga Gjykata e Breshias me 8 vite burg për akuzat e sipër-përmendura dhe në mars të vitit 2025 u arrestua në Vlorë, me qëllim ekstradimin drejt shtetit fqinj, për kryerjen e plotë të dënimit.
NJOFTIMI:
Me kërkesë të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, u sekuestruan pasuritë e shtetasit A.Rr. dhe familjarëve të tij, nën hetim për veprën penale ‘Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale’, parashikuar nga neni 287 i Kodit Penal.
Në kuadër të hetimeve mbi procedimin penal nr.1125 të vitit 2020, rezultoi se shtetasi A.Rr., i dënuar më parë për ‘Trafik të lëndëve narkotike’ dhe ‘Organizatë krimiale’, nuk justifikonte pasuritë e krijuara, për të cilat Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Vlorë kërkoi sekuestrimin si më poshtë:
a. Pasuria e llojit “apartament” me nr.pasurie 29/519+2-2, me sip.67 m2, Vlorë, në zotërim të shtetasit B.B dhe A.Rr;
b. Pasuria e llojit “apartament” me nr.29/599+1-22, me sip.73 m2, Vlorë, në zotërim të shtetasve A.Rr dhe B.B;
c. Pasuria e llojit “apartament” me nr.113/34+2-20, me sip.68.8 m2, ZK 3292, Tiranë, në zotërim të shtetases B.B;
d. Pasuria e llojit ‘njësi’ me nr. 12/417-N4 ZK 8602, Vlorë, me sip. 27 m2, në zotërim të shtetasit A.Rr;
e. Pasuria e luajtshme automjet marka “Toyota Corolla” viti 2020, në zotërim të shtetases B.B;
f. Pasuria e luajtshme automjet marka “Volvo XC 60” viti 2020, në zotërim të shtetases B.B; si dhe
g. Pasuria e luajtshme automjet marka “Mercedes benz GLA” viti 2016, në zotërim të shtetases S.Rr.
Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë pranoi kërkesën e organit të akuzës, duke caktuar masën e sigurimit pasuror sekuestro preventive për pasuritë e mësipërme të paluajtshme në vlerë totale 400.000 euro.
