TIRANË- Gjykata e Posaçme ka dënuar për fyerje kreun e Partisë Mundësia, Agron Shehaj, në gjyqin përballë Adriatik Lapajt.
Ndërkohë që Gjykata e Posaçme ka shpallur të pafajshëm Shehajn për akuzën e shpifjes. Kreu i Partisë Mundësia është dënuar me një gjobë prej 300 mijë lekësh.
Adriatik Lapaj e paditi Agron Shehajn për shpifje dhe fyerje, në lidhje me deklarata publike të këtij të fundit, ku ka pretenduar për lidhje të Lapajt me eksponentë të botës së krimit.
Shehaj e akuzoi Lapajn se kishte marrë 4.5 milionë lekë nga një kompani e sekuestruar nga SPAK pasi përdorej për të pastruar paratë e një grupi kriminal, e cila i përkiste bandës Çopja që vepronte në Elbasan.
Lapaj mohoi akuzat duke thënë se paratë nuk i kishte marrë dhe ishin thjesht detyrime ndaj shërbimeve si avokat ndaj kompanisë në fjalë.
Përplasjet dhe akuzat Lapaj-Shehaj
Agron Shehaj e akuzoi Adriatik Lapajn se ka marrë para të pista, ndërsa ka publikoi edhe disa dokumente, që sipas tij tregojnë shërbimet që kreu i “Shqipëria Bëhet” i ka bërë një kompanie në hetim nga SPAK.
“Ti ke qenë dhe je pjesë e këtij sistemi Adriatik. Unë jam si ata qindra mijëra shqiptarë që kanë vuajtur këtë shtet të korruptuar, këtë sistem të padrejtë, atë drejtësi të korruptuar ku ti ke ngrënë Adriatik. Kjo është diferenca midis teje dhe meje. Adriatik unë jam i pakapshëm”, tha Shehaj në shkurt të vitit 2025.
Akuza të cilat vetë Lapaj i ka mohuar që në krye të herës.
“Në fakt, kompania në fjalë nuk është e sekuestruar nga Spak. Gënjeshtra jote e tretë! Administratori saj është nën hetim dhe është nën hetim për punë të veta që nuk lidhen as me funksionin e tij si administrator. Halli i vet! Shërbimi im si avokat është për kompaninë afro 2 vite para se administratori saj të merrej nën hetim. Kontrata është me kompaninë dhe jo për punët e Administratorit. Gënjeshtra jote e katërt! Kjo për të qenë korrekt, se unë dhe sot mund ta përfaqësoj pa problem atë kompani ose administratorin e saj edhe në Spak se kjo është puna ime. Përfaqësues ligjor! Avokat”, shkruan Lapaj.
Teksa e paralajmëroi asokohe se do ta çonte në gjykatë, Lapaj iu drejtua duke i thënë “Ti që hyre në politikë pa të njohur askush e pas 8 viteve deputet bën revolucionarin duke më thënë mua që nuk kam punuar 1 ditë në shtet se unë jam sistemi që ty të paska nxirë jetën! Luftë kërkove, luftë do kesh! Dmth kur nuk pyes shefin tënd Saliun, ty do e shohësh rrugës çfarë të kam!”./ZËRI

