Aktualitet

Moti i keq paralizon vendin/ Nga Kukësi në Korçë, lëvizja e mjeteve kryhet me vështirësi. Tirana ‘skuqet’ nga trafiku

Për shkak të reshjeve të borës, qarkullimi është vështirësuar në disa akse rrugore, kryesisht në zonat malore të qarqeve Shkodër, Kukës, Dibër, Korçë dhe në Sarandë

E.K
Moti i keq paralizon vendin/ Nga Kukësi në Korçë,
MOTI I KEQ DHE TRAFIKU NE TIRANE

TIRANË- Reshjet e shiut dhe borës, që janë rikthyer këtë të mërkurë pothuajse në të gjithë vendin, kanë sjellë një sërë problematikash në akset kryesore në vend, ndërsa në shumë zona temperaturat kanë zbritur disa gradë nën zero. Burime bëjnë me dije për ZËRI se në Rrugën e Kombit, në Rrugën e Arbrit dhe në Qafë Thanë, janë shfaqur një sërë problematikash në qarkullimin e mjeteve. Ndërkohë që në kryeqytet, kanë mjaftuar vetëm pak minuta shi, për të përkeqësuar gjendjen e trafikut të mjeteve në rrugë. Radhë të gjatë makinash, ka pasur në të gjitha rrugët e Tiranës, ndërkohë që lëvizja është kryer me shumë vështirësi dhe në zonën e Unazës së Madhe të kryeqytetit.  

Policia Rrugore iu ka bërë apel drejtuesve të mjeteve, që të tregojnë kujdes me shpejtësinë, si dhe të pajisen me goma dimërore dhe zinxhirë.

“Për shkak të reshjeve të borës, qarkullimi është vështirësuar në disa akse rrugore, kryesisht në zonat malore të qarqeve Shkodër, Kukës, Dibër, Korçë dhe në Sarandë. Shërbimet e Policisë Rrugore dhe të Patrullave të Përgjithshme janë në terren me qëllim parandalimin e aksidenteve dhe për të ndihmuar përdoruesit e rrugës në rast nevoje.

Policia bashkëpunon me entet pronare të rrugëve dhe firmat kontraktore, me qëllim pastrimin e rrugëve nga bora dhe shpërndarjen e kripës. Puna për pastrimin dhe kriposjen e rrugëve vijon në mënyrë intensive.

Në Qafë Thanë, nuk do lejohet kalimi i kamionëve (rreth 2-3 orë) derisa rruga të pastrohet nga borëpastruesja në tokën maqedonase.

Policia Rrugore apelon që drejtuesit e mjeteve të:

bëjnë kujdes gjatë lëvizjes,

respektojnë sinjalistikën rrugore,

pajisen me zinxhirë dhe goma dimërore,

ndjekin udhëzimet e shërbimeve të Policisë Rrugore”, thuhet në apelin e policisë.

Rruga e Kombit

'Rruga e Kombit' është totalisht e mbuluar nga bora, duke krijuar vështirësi të mëdha në qarkullimin e automjeteve.

Reshjet e dendura të borës që kanë përfshirë këtë aks gjatë natës kanë shtuar trashësinë e borës në disa pjesë të rrugës, duke bërë që kalimi të jetë i mundur vetëm për ata që janë të pajisur me goma dimërore dhe zinxhirë.

Segmentet më të prekura janë ato që kalojnë përmes zonave të larta të Kukësit, ku bora ka arritur deri në 30 cm dhe ka shkaktuar bllokime të përkohshme.

Erërat e forta kanë ndihmuar në krijimin e ngricave, duke rritur ndjeshëm rrezikun për aksidente.

Punimet për pastrimin dhe kriposjen e autostradës janë duke vazhduar, por autoritetet paralajmërojnë qytetarët që të shmangin udhëtimet e panevojshme dhe të tregojnë kujdes të shtuar në këtë aks, pasi kushtet atmosferike mbeten të rrezikshme.

Drejtuesve të automjeteve u kërkohet të përdorin goma dimërore, të respektojnë sinjalistikën dhe të mos udhëtojnë pa pajisjet e nevojshme në kushte të tilla dimërore. 

Situata në qarkun e Dibrës

Reshjet e borës janë rikthyer në Qarkun e Dibrës mbi 600 metra mbi nivelin e detit. Bora ka nisur gjatë orëve të para të mëngjesit, ndërsa në zonat e thella malore raportohet një trashësi deri në 15 centimetra.

Reshje të konsiderueshme bore janë regjistruar në njësitë administrative Lurë, Kala e Dodës, Selishtë, Zall-Dardhë, Zall-Reç, Sllovë, si edhe në Trebisht, Ostren dhe zonën e Martaneshit.

Si pasojë e borës janë krijuar probleme në rrugët rurale. Vështirësi në qarkullim raportohen edhe në Rrugën e Arbrit, kryesisht nga Qafa e Buallit drejt Peshkopisë. Situata më problematike paraqitet në rrugën nacionale në zonën e pishave në Fushë-Bulqizë, ku ka prezencë bore dhe akulli në asfalt.

Policia Rrugore u bën apel drejtuesve të mjeteve që të qarkullojnë me goma dimërore dhe zinxhirë, pasi reshjet e borës vijojnë me intensitet të lartë.

Sipas informacioneve zyrtare, për momentin nuk raportohet bllokim i qarkullimit nga Ura e Vashës deri te Shkalla e Tujanit. Ndërkohë, në tunelin e Qafë-Buallit dhe në segmentin Qafë-Buall–Peshkopi mungon kripa, ndërsa disa pjesë të Rrugës së Arbrit kanë prezencë akulli dhe bore në asfalt.

Qarku Kukës

Kukësi është përfshirë nga reshje të dendura bore gjatë orëve të fundit, duke sjellë ulje të ndjeshme të temperaturave dhe vështirësi në qarkullim. Bora ka zbardhur qytetin e Kukësit, ndërsa në zonat malore mbi 600 metra mbi nivelin e detit, trashësia e saj ka kaluar 5 centimetra.

Termometri ka zbritur në minus 2 gradë Celsius në qytetin e Kukësit, ndërsa në zonat më të thella malore temperaturat kanë arritur deri në minus 9 gradë.

Këto kushte atmosferike kanë krijuar prezencë të ngricave në disa akse rrugore nacionale.

Veçanërisht problematike paraqiten rrugët Kukës–Peshkopi, Kukës–Qafë Mali, Krumë–Bajram Curri si dhe aksi Kukës–Shishtavec, ku drejtuesit e mjeteve duhet të tregojnë kujdes të shtuar gjatë lëvizjes.

Autoritetet u bëjnë thirrje drejtuesve të automjeteve që të pajisen me goma dimërore dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor. Deri në këto momente nuk raportohet për akse rrugore të bllokuara.

Qarku i Korçës

Në qytetin e Korçës fryn erë e fortë dhe borë, duke krijuar vështirësi në qarkullimin e mjeteve. Ndërkohë që dhe qyteti i Pogradecit është zgjuar mëngjesin e kësaj të mërkure i mbuluar nga bora.

Prefektura njofton se ka pasur probleme me furnizimin me energji elektrike, ndërsa situatë e ngjashme është edhe me rrugët.

Në akset Korçë–Ersekë dhe Zëmblak–Goricë–Bilisht–Miras, gjatë natës ka pasur reshje bore. Në këto akse rekomandohet qarkullimi me goma dimërore.

Sa i përket doganës së Qafë Thanës, mësohet se është ndaluar qarkullimi i kamionëve për shkak se po punohet me borëpastruese në segmentin hyrës drejt Maqedonisë. Kjo ndërhyrje do të jetë për pak orë, çka deri më tani ka sjellë ndalimin e kamionëve por me përfundimin e ndërhyrjes nga borëpastrueset do të rinisë qarkullimi edhe për këto mjete të tonazhit të rëndë./ZËRI 

Poll

MOS HUMB