Aktualitet

Tërmeti i 2019-ës i mori familjen, ndërron jetë Albert Cara- i mbijetuari i vetëm i familjes

Pas disa vitesh nga tragjedia, Albert Cara ka ndërruar jetë si pasojë e një arresti kardiak.

l.k
Tërmeti i 2019-ës i mori familjen, ndërron jetë Albert Cara-
Albert Cara dhe rrënojat nga tërmeti në Thumanë

THUMANË- Tërmeti i 26 nëntorit 2019 i mori të gjithë familjen Albert Carës. Pas disa vitesh nga tragjedia, Albert Cara ka ndërruar jetë si pasojë e një arresti kardiak. Lajmi u bë i ditur përmes një postimi në rrjetet sociale nga drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit Zjarrfikës, Arben Cara, i cili është i afërm i Albert Carës. Në postimin e tij, Arbeni shkruan se humbja e familjes së Albertit gjatë tërmetit mbetet një plagë që nuk do të shërohet kurrë.

“Sot u nda nga jeta Albert Cara… një zemër që mbajti brenda dhimbjen më të madhe që mund të përjetojë një njeri. Në tërmetin tragjik të 26 Nëntorit ai humbi gjithë familjen e tij. Një plagë që nuk u shërua kurrë. Sot, pas një ataku kardiak, Alberti u largua nga kjo botë për t’u bashkuar me engjëjt e tij në përjetësi. Dhimbja e tij ishte e madhe, por dashuria për familjen e tij ishte edhe më e madhe. U prehsh në paqe Albert… tani je sërish pranë atyre që i deshe më shumë”, ka shkruar Cara.

Thumana ishte një nga zonat më të goditura nga tërmeti i nëntorit 2019, ku qindra shtëpi u shembën dhe dhjetëra familje humbën të afërmit e tyre. Familja Cara u shua pothuajse plotësisht.

Viktimat nga familja Cara:

Hasan Albert Cara
Almir Albert Cara
Erisa Albert Cara 25-vjeçe
Stela Cara (E fejuara e Almirit)

Nëna e tyre Fatmira Qazim Cara (bashkëshortja e Albert Carës)

Nusja e xhaxhait  e Albert Carës

Sadajana Hysa Cara – Mbesa e Albert Carës

Ata jetonin në katin e pestë të një pallati në Thumanë, i cili u shemb nga tërmeti i mëngjesit të 26 nëntorit 2019. Alberti arriti të dilte i gjallë pas orëve të gjata që kishte kaluar nën rrënoja, ai u nis më pas drejt Italisë për mjekim të specializuar për shkak të dëmtive të mëdha të organeve që ishin shaktuar nga betoni dhe rrënojat./ZËRI

Poll

MOS HUMB