SHKODËR- Efektivi i Policisë së Shkodrës, Nikolin Përndoj, i cili u sulmua fizikisht dy ditë më parë, është personi që pak javë më parë kishte ndëshkuar me gjobë dhe kishte bllokuar automjetin e Sabian Troshanit, vëllait të Samuel Troshanit, i përmendur si pjesë e grupit të Bajrave.
Më 27 maj, Përndoj i ka vendosur masën e bllokimit të mjetit tip 'Audi'. Sipas të dhënave, makina është zhbllokuar po atë ditë pas një urdhri të drejtorit të Policisë së Shkodrës në atë kohë, Gentian Berberi, me argumentin se gjatë festës së Bajramit nuk aplikoheshin bllokime automjetesh.
Bëhet fjalë për automjetin që përdorej nga Sabian Troshani, i cili rezulton me precedentë penalë, ndërsa vëllai i tij, Samuel Troshani, është akuzuar në të kaluarën për një përplasje me armë zjarri me grupin e Aleksandër Prendit.
Pikërisht ky episod është një nga pistat që po verifikon grupi hetimor për të zbuluar nëse ka lidhje me sulmin ndaj efektivit të policisë.
Mbrëmjen e 22 korrikut, ai u dhunua fizikisht nga disa persona, jashtë orarit të shërbimit. Për motive ende të paqarta, ai u godit me grushte pas një konflikti, ndërsa autorët ende nuk janë identifikuar.
