
TIRANË-Pista e hetimit mbetet e paqartë për atentatin me katër të plagosur të ndodhur mbrëmjen e djeshme (17 prill) në Tiranë, persona ende të paidentifikuar kanë qëlluar me breshëri me armë zjarri drejt një automjeti tip "G-Class". Në këtë automjet ndodhenin katër persona, Arenc Stafa 34-vjeç, Kian Mullahi 19-vjeç, dhe dy të miturit Dior Demiraj 11 dhe Marko Demiraj 17-vjeç.
Pas ngjarjes të plagosurit të tronditur kanë deklaruar se nuk kanë asnjë konflikt dhe po ashtu edhe ditën e djeshme nuk kanë pasur asnjë sherr. Të rinjtë nuk kanë asnjë precedent, po ashtu edhe shoferi i tyre nuk ka asnjë precedent dhe asnjë konflikt. Shoferi ka rrëfyer se për rreth 1.5 kilometra janë qëlluar me breshëri plumash.
Në bazë të deklaratave paraprake shënjestra e autorëve mbetet enigmë. Dyshimet janë se një person i pestë mund të ketë qenë në automjetin ku udhëtonin familjarët e e pronarit të kompanisë private të sigurimit "Pelican Security". Ndërkohë hetuesit nuk hedhin poshtë mundësinë se autorët mund të kenë ngatërruar edhe shënjestër pa e ditur se cilat persona po udhëtonin brenda në atomjetin G-Class që e kishin nën shënjtestrën e tyre.
Lidhur me gjendjen e tyre shëndetësore, bëhet me dije se shoferi, 34-vjeçari Arenc Stafa dhe 19-vjeçari Kian Mullahi ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Ndërkohë dy të plagosurit e tjerë të mitur, Marko Demiraj, 17 vjeç, ndodhet në gjendje stabël, ndërsa 11-vjeçari Dior Demiraj ndodhet në gjendje më të rëndë. 17-vjeçari dhe 19-vjeçari pasi kanë marrë mjekim në spitalin e Traumës janë dërguar në spital privat./ZËRI