TIRANË-Kid Kazai, 30 vjeç i shpallur në kërkim për tentativë vrasje dhe armëmbajtje pa leje është arrestuar nga Policia e kryeqytetit në zonën e 'Komunës së Parisit'. Kazai është autori i atentatit ndaj Arbër Gorejas, ngjarje e ndodhur në 30 maj në Fllakë të Durrësit. Bashkë me të në pranga është vendosur edhe shoku i tij Ferhat Kaja, 31 vjeç.
Kazazi ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të mjetit me të cilin lëvizte 36-vjecar i Gorgeas gjatë një parakalimi në segmentin rrugor katër rrugët e Fllakës – Katund Sukth. 36-vjeçari asakohe mbeti i plagosur ndërsa dy të mitur 14 e 15-vjeç që udhëtonin me të nuk pësuan lëndime. Atentati erdhi si pasojë e një konflikti mes babait të Kazait dhe Arbër Gorejas. Ky i fundit ushtroi dhunë fizike ndaj Eqerem Kazazit, babait të 30-vjeçarit i cili pësoi dëmtime fizike.
Njoftimi i policisë:
Kapet dhe ndalohet nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2, një 30-vjeçar me rrezikshmëri të lartë shoqërore, i shpallur në kërkim për vrasje në rrethana cilësuese, mbetur në tentativë dhe armëmbajtje pa leje.
Në pranga dhe një 31-vjeçar, pasi dyshohet se ka përkrahur dhe ndihmuar 30-vjeçarin të fshihej. Sekuestrohen dy dokumente identifikimi të dyshuara të falsifikuara, municion luftarak dhe një automjet.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2 në vijim të punës për lokalizimin, kapjen dhe vënien përpara përgjegjësisë penale të shtetasve të shpallur në kërkim, bazuar dhe në informacionet e siguruara në rrugë operative, për vendndodhjen e një shtetasi me rrezikshmëri të lartë shoqërore të shpallur në kërkim për tentativë vrasje, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar "Danger".
Si rezultat i këtij operacioni, në zonën e quajtur “Komuna e Parisit”, është lokalizuar dhe kapur shtetasi K. K., 30 vjeç, banues në Kavajë. Ky shtetas ishte shpallur në kërkim pasi Gjykata e Durrësit i ka caktuar masën e sigurimit personal "Arrest në burg", për veprën penale "Vrasja në rrethana cilësuese", mbetur në tentativë dhe “Armëmbajtja pa leje”. 30-vjeçari, me datë 30.05.2025, në Fllakë, për motive të dobëta, ka qëlluar me armë zjarri drejt një automjeti ku udhëtonin 3 shtetas.
Në vijim të operacionit është arrestuar dhe shtetasi F. K., 31 vjeç, i cili ndodhej bashkë me 30-vjeçarin në një automjet. Nga veprimet hetimore ka rezultuar se ky shtetas ka përkrahur dhe ndihmuar 30-vjeçarin të fshihej.
Në momentin e ndalimit 30-vjeçari i ka paraqitur punonjësve të policisë dy dokumente identifikimi(kartë Id dhe leje drejtimi) me të dhënat e një shtetasi tjetër, të dyshuara të falsifikuara. Ndërsa, gjatë kontrollit fizik 31-vjeçarit i gjetën një sasi municioni luftarak.
Shtetasi K. K, iu kalua DVP Durrës për veprime të metejshme./ZËRI