Aktualitet

E vërteta pas arrestimit të ish-kreut të IMT Durrës? Avokati: Ish-prokurorja Rabiana Halili shiti gjakun e viktimës për tokën

Avokati ngre akuza se toka ku është ngritur resorti u mor nga një qytetar i arrestuar për një aksident rrugor, i cili nuk kishte para për të paguar drejtësinë e korruptuar dhe u detyrua të shlyente me pasurinë e tij. 

F.I
E vërteta pas arrestimit të ish-kreut të IMT Durrës?
Ardian dhe Rabiana Halili

DURRËS-Arrestimi i ish-kreut të Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit (IMT) në Durrës ka hapur diskutim në opininon publik. Ardian Halili u arrestua më 27 gusht nën akuzën për ndërtim të paligjshëm, ku në vitin 2017 ka ngritur një resort pa leje në zonën e Shetajt, Ishëm, gjatë kohës që ishte në detyrë. Por përpos shkeljes së ligjit, hije dyshimi janë ngritur edhe për mënyrën se si ish-kreu i IMT u bë pronar i resortit ‘Saint Michelle Residence’. 

Avokati Arben LLangozi me një reagim në rrjetet sociale ka denoncuar rastin, duke u shprehur se arrestimi i Halilit është vetëm një 'show' për të mbuluar një skandal më të madh. Ish-kreu i IMT është po ashtu bashkëshorti i ish-prokurores së Durrësit, Rabiana Halili, e cila u dorëhoq pak kohë para se të kalonte procesin e vetingut. Avokati pretendon se pikërisht bashkëshortja e Halilit dhe ish-prokuroja e Durrësit, ka përdorur postin e saj për të vjedhur pronën që një ditë më parë u shemb. Llangozi ngre akuza se toka ku është ngritur resorti u mor nga një qytetar i arrestuar për një aksident rrugor, i cili nuk kishte para për të paguar drejtësinë e korruptuar dhe u detyrua të shlyente me pasurinë e tij. 

REAGIMI i avokatit Arben Llangozi:

Arrestimi i kryeinspektorit të IMT-së në Bashkinë Durrës, Ardian Halili, për ndërtim të paligjshëm, u shitet qytetarëve si një sukses i madh i drejtësisë. Por në të vërtetë ky është vetëm tym dhe hi në sy. Një show për të mbuluar një skandal shumë më të madh, ku korrupsioni nuk ndalet tek zyrtarët vendorë, por shkon deri në zemër të prokurorisë. Le të themi gjërat hapur, Ardian Halili nuk është një funksionar i zakonshëm që u deh nga betoni dhe lejet e ndërtimit. Ai është bashkëshorti i ish-prokurores Rabiana Halili, një emër i sistemit të drejtësisë që sipas informacioneve tona ka përdorur postin e saj për të vjedhur një pronë.

Po, një pronë e marrë nga një qytetar i arrestuar për një aksident rrugor, i cili nuk kishte para për të paguar drejtësinë e korruptuar dhe u detyrua të shlyente me pasurinë e tij. Ky është thelbi: drejtësia është shitur mbi gjakun e një njeriu.

Nëse ky nuk është korrupsion i pastër, atëherë çfarë është? Nëse ky nuk është krim i organizuar brenda prokurorisë, atëherë ku fillon krimi i organizuar?

Ironia është se të gjithë flasin për "drejtësi të re", për reforma, për SPAK-un që nuk kursen askënd. Por ja ku kemi një rast tipik ku gjurmët të çojnë drejt prokurorisë, dhe papritur të gjithë bëhen memecë. Arrestohet kryeinspektori për një godinë pa leje, ndërsa prokurorja që ka marrë tokën me gjak, hesht, shëtit e lirë dhe mbase jep edhe leksione morale mbi drejtësinë. Kjo nuk është vetëm hipokrizi. Kjo është tallje me qytetarët, është fyerje për çdo njeri që ende beson se ligji ka kuptim në këtë vend.

Prandaj, pyetja është e thjeshtë: Ku është SPAK? Pse nuk heton këtë rast? Apo SPAK bën selektivisht "heroin" vetëm aty ku i leverdis politikisht? Nëse ky rast mbetet i pandëshkuar, atëherë reforma në drejtësi është një dekor i rremë, një kulisë ku shfaqet një teatër i shëmtuar korrupsioni.

Por ky nuk është rasti i parë që, Rabiana Halili përflitet për korrupsion.

Kush është ish-prokurorja Rabiana Halili- Dorëheqja në vitin 2021 dhe lirimi nga burgu i “Mond Çekiçit”

Këshilli i Lartë i Prokrurorisë miratoi në mars të viti 2021 dorëheqjen e Rabiana Halilit nga detyra, duke e larguar përgjithmonë nga sistemi i drejtësisë. Largimi nga detyra u shoqërua me një skandal, ku në 2020 ish- magjistratja liroi nga prangat Edmond Koçin me pretendimin se dyshonte që ishte me “COVID-19”. 

Edmond Koçi (i ekzekutuar) ose siç njihej ndryshe në Durrës me nofkën “Mond Çekiçi”, nuk qëndroi asnjë ditë në burg, megjithëse Policia, në 24 shtator 2020 e arrestoi në flagrancë mbi një motor, për akuzën e mbajtjes pa lejë të një pistolete, prodhim austriak të quajtur “Steyer” kalibër 9 mm dhe me 98 plumba. Halili gjatë caktimit të masës së sigurisë, i ka kërkuar gjyqtarit, Petraq Çuri, të lerë në “arrest shtëpie” dhe jo “arrest në burg”.

Pas lirimit në 26 shtator 2020 të Edmond Koçit dhe caktimin e masës së sigurisë “arrest shtëpie”, që kishte kërkuar prokurorja Rabiana Halili, kjo e fundit iu drejtua me një kërkesë dorëheqje Këshillit të Lartë të Prokurorisë, duke kërkuar vullnetarisht largimin e saj nga radhët e Prokurorisë shqiptare./ZËRI

Poll

MOS HUMB