
VLORË- Një 28-vjeçar është arrestuar në Vlorë, pasi akuzohet se ai vendosi tritol një lokali të dielën në zonën “Uji i ftohtë”. Bëhet fjalë për Beqir Selamaj alias Beqir Murati, i cili rezulton me precedentë penalë në fushën e nartkotikëve dhe grabitjeve. 28-vjeçari i vendosi tritol lokalit të një 73-vjeçareje, ku për shkak të shpërthimit iu shkaktuan dëme të konsiderueshme materiale.
Gjatë operacionit, Policia e Vlorës sekuestroi dy telefona celular, një biçikletë dhe veshjet e përdorura gjatë ngjarjes, të cilët u verifikuan nga kamerat e sigurisë.
"Shërbimet e Komisariatit të Policisë Vlorë, në bashkëpunim me strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë dhe nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, përmes një pune të thelluar hetimore dhe profesionale, finalizuan operacionin e koduar “DANGER”. Bazuar në veprimet intensive hetimore dhe dokumentimin me prova ligjore, u bë i mundur ndalimi i shtetasit B. S. alias B. M, 28 vjeç, banues në lagjen “Isa Boletini” dhe me precedentë penalë në fushën e narkotikëve dhe vjedhjes së pasurisë.
Nga hetimet rezulton se ky shtetas dyshohet të jetë autor i vendosjes së lëndës eksplozive më datë 08.12.2024, rreth orës 05:50, në një lokal, në lagjen “Uji i Ftohtë”, në pronësi të shtetases R. B., 73 vjeçe, ku si pasojë e shpërthimit janë shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale.
Gjatë operacionit, përmes veprimeve të koordinuara dhe mbështetura në prova shkencore, u sekuestruan në cilësinë e provave materiale dy telefona celular, një biçikletë dhe veshjet e përdorura gjatë ngjarjes. Vijojnë hetimet për identifikimin dhe ndalimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale. Materialet procedurale, iu referuan Prokurorisë për veprat penale “Shkatërrimi i pronës me eksploziv” dhe “Mbajtja pa leje e armëve dhe municioneve luftarake”", njofton policia. /ZËRI