Aktualitet

Dy herë tritol banesës së Ardian Fierzës, arrestohet motra e autorit

Ndërkohë është arrestuar motra e autorit, e cila ka bashkëpunuar me vëllain e saj për marrjen e një shume parash nga Fierza.

F.I
Dy herë tritol banesës së Ardian Fierzës, arrestohet motra e
PAMJE NGA VENDNGJARJA

SHKODËR-Është zbardhur ngjarja e ndodhur në 11 nëntor në Shkodër, ku një sasi eksplozivi u vendos në banesën e Ardian Fierzës. Policia ka identifikuar autorin 35-vjeçar, Bernard Pllumbaj, i cili akuzohet se ka vendosur lëndë plasëse në derën e banesës së Ardian Fierzëz dhe biznesin e tij. Ndërkohë është arrestuar motra e autorit, e cila ka bashkëpunuar me vëllain e saj për marrjen e një shume parash nga Fierza.

Njoftimi i policisë:

Zbardhet ngjarja e ndodhur më datë 10.11.2024, në banesën e shtetasit A. F., ku u vu një sasi lënde plasëse. Si rezultat i veprimeve hetimore të kryera në bashkëpunim me Prokurorinë, dokumentohet me prova ligjore autorësia e 2 rasteve të venies së lëndës plasëse, në biznesin dhe në banesën e shtetasit A. F.

Vijon puna për kapjen e autorit të dyshuar, i shpallur në kërkim në muajin gusht, si autor i dyshuar për vënien e lëndës plasëse në agjencinë funerale. Vihet në pranga motra e tij. Sekuestrohen 1 armë zjarri pistoletë me krehër me municion luftarak, 1 radio si e Policisë, laptop, 1 DVR, 11 celularë dhe 0.5 kg lëndë narkotike kanabis.

Bazuar në provat e siguruara gjatë hetimit proaktiv, rezultoi se autori i dyshuar edhe për rastin e dytë të vënies së lëndës plasëse, është shtetasi B. P., 35 vjeç. Në vijim të hetimeve rezultoi se ky shtetas ka bashkëpunuar me motrën e tij, shtetasen L. P., për marrjen e një shume parash nga shtetasi A. F., me të cilin kishte konflikt pronësie për angjencinë funerale. Në vijim të veprimeve procedurale u bë arrestimi i shtetases L. P.(R)., 38 vjeçe, banuese në Shkodër.

Gjatë kontrollit në subjektin që administronte (parukeri), shërbimet e Policisë kanë gjetur dhe sekuestruar 0.5 kg lëndë narkotike kanabis. Gjithashtu, gjatë kontrollit në banesën e shtetasit B. P., me precedent të mëparshëm për armëmbajtje pa leje, shërbimet e Policisë kanë gjetur të fshehura dhe kanë sekuestruar: 1 armë zjarri pistoletë, municion luftarak, 1 radio dore si e Policisë, 1 laptop, 1DVR dhe 11 celularë. Vijon puna për kapjen e 35-vjeçarit.

Materialet procedurale shtesë i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme, për shtetasin B. P., për veprat penale “Shkatërrimi i pronës me eksploziv”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”, kryer në bashkëpunim, “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në bashkëpunim, dhe ”Ndërhyrje të padrejta në jetën private”, si dhe për shtetasen L. P.(R)., për veprat penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”, kryer në bashkëpunim, “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në bashkëpunim, dhe ”Ndërhyrje të padrejta në jetën private”./ZËRI

Poll

MOS HUMB