TIRANË- Është mbajtur në ambientet e Gjykatës së Posaçme seanca e parë në themel në ngarkim të ish-ministrit Ilir Beqaj, i cili është marrë i pandehur për dosjen e sterilizimit. Beqaj është shprehur se çdo trupë gjykuese është e paligjshme, sa kohë që ka pranuar dosjen e prokurorisë për një akuzë, e cila atij nuk i është komunikuar kurrë. Në seancën e sotme, Beqaj është shprehur se Prokuroria e ka njoftuar vetëm për akuzën e shpërdorimit të detyrës, dhe jo atë të vjedhjes.
“Çdo lloj trupe gjyqësore është e paligjshme, s'e kam personale. Nga prokuroria jam njoftuar vetëm për akuzën ‘Shpërdorim detyre’, akuza e re e vjedhjes nuk më është komunikuar kurrë”, është shprehur Beqaj në nisje të seancës.
Beqaj do të gjykohet nga gjyqtarët e posaçëm, Rudina Palloj, Irena Gjoka dhe Erjon Çela. Seanca e radhës do të mbahet në datën 2 Tetor.
Avokatët e ish-ministrit kërkuan që gjykata t’u mundësonte kohë të mjaftueshme për shqyrtimin e aktve dhe përgatitjen e mbrojtjes, kërkesë që u pranua, duke shtyrë seancën për një datë të mëvonshme.
Beqaj refuzoi gjykimin e shkurtuar, duke pretenduar pafajësi dhe kundërshtuar aktet e dosjes së SPAK. Kurse 8 të pandehurit e tjerë që e pranuan akuzën, po procesohen me gjykim të shkurtuar, mes tyre edhe ish-zv/ministri Klodian Rrjepaj.
Kjo do të thotë se Klodian Rrjepaj, Ilir Rrapaj, Matilda Serjani, Samir Kadiu, Petraq Mersini, Arben Gjata, Genci Byrazeri dhe Naile Ajazi do të përfitojnë nga ulja e 1/3 së dënimit nëse shpallen fajtorë, në bazë të procedurës së përshpejtuar.
Ndërkohë, Ilir Beqaj do të gjykohet në procedurë të zakonshme, ndërsa ai ka vijuar të kundërshtojë akuzat ndaj tij, duke kërkuar qartësi në formulimin e tyre.
Beqaj ndodhet në burg që prej 4 korrikut të 2024 për abuzimin me fondet e Agjencisë Shtetërore të Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës (SASPAC). Por po ashtu, po hetohet edhe lidhur me dy koncensionet në Shëndetësi, Sterilizminin dhe Chech-up. Ai u mor zyrtarisht i pandehur nga SPAK për koncesionin 100 milionë euro të sterilizimit./ZËRI