TIRANË- Apeli i Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka vendosur rikthimin në burg të ish-ministrit të Mjedisit, Lefter Koka, në lidhje me çështjen e inceneratorit të Tiranës. Sipas vendimit të shpallur këtë të enjte nga trupi gjykues me kryesuese Ilirjana Olldashin dhe anëtare Nertina Kosova dhe Daniela Shirka, Koka duhet të rikthehet në qeli, ku i mbeten dhe 6 muaj burg.
Sakaq, ndryshon kështu vendimin pjesërisht për Lefter Kokën, për shuarjen e masës së sigurisë “arrest në burg”, duke e kthyer në burg.
Po ashtu, Apeli i Posaçëm shpall vendimin për të pandehurit e inceneratorit të Tiranës, duke lënë në fuqi vendimin e Shkallës së Parë për shtetasit e tjerë të akuzuar për këtë çështje:
-Bledar Karoli, Taulant Tushe, Namik Simixhiu, Fatjon Murataj dënohen me 3 vite burg, i cili për shkak të gjykimit të shkurtuar zbret në 2 vite, me akuzën e “shpërdorimit të detyrës”.
-Valbona Ballgjini dënohet me 2 vite burg, me gjykim të shkurtuar i konvertohet në shërbim prove.
-Sidita Kopliku, 1 vit e 6 muaj burg, 1 vit me gjykim të shkurtuar, konvertohet në punë publike.
-Jetmir Llapaj, fajtor për shpërdorim deryre në bashkëpunim, dënohet me 1 vit burg, 8 muaj burg me gjykim të shkurtuar. I hiqet e drejta për të ushtruar funksione publike për 1 vit.
Vendimi:
Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët Iliriana Olldashi (kryesuese), Nertina Kosova (anëtare) dhe Daniela Shirka (anëtare), sot më 14.05.2026, shpalli vendimin mbi çështjen penale nr. 6/71 akti, datë 14.11.2025 regjistrimi, mbi ankimin e të pandehurve T.T, L.K, S.K, B.K, E.M dhe ankimin e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ndaj vendimit nr. 30, datë 16.04.2025, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar. Në përfundim, Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar vendosi: – Lënien në fuqi të vendimit nr. 30, datë 16.04.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, për të pandehurit B.K, E.M, T.T, S.K. –
Lënien në fuqi të vendimit nr. 30, datë 16.04.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, për të pandehurin L.K për pikat “1”, “2”, dhe “4” të dispozitivit të vendimit. – Ndryshimin e vendimit nr. 30, datë 16.04.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, për të pandehurin L.K, duke hequr pikën “3” të dispozitivit të këtij vendimi që ka disponuar “Për shuarjen e masës së sigurimit “arrest në burg””, caktuar ndaj të pandehurit L.K me vendimin nr. 134, datë 07.12.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar. – Ndryshimin e vendimit nr.30, datë 16.04.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar për të pandehurin J.Ll si vijon: – Deklarimin fajtor të të pandehurit J.Ll për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës” në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 248 dhe 25 të Kodit Penal dhe dënimin e tij me 1 (një) vit burgim. – Në aplikim të nenit 406/1 të Kodit të Procedurës Penale dënimin përfundimisht të të pandehurit J.Ll me 8 (tetë) muaj burgim.
Në bazë të nenit 35/1 të Kodit Penal caktimin për të pandehurin J.Ll të dënimit plotësues, heqja e së drejtës për të ushtruar funksione publike, për një afat prej 5 (pesë) vjet. – Shpenzimet procedurale gjyqësore edhe të gjykimit në apel u ngarkohen solidarisht të pandehurve. – Urdhërohet Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për ekzekutimin e këtij vendimi. U shpall në Tiranë, sot më datë 14.05.2026.
Ish-ministri i Mjedisit, Lefter Koka u lirua në dhjetor të vitit të kaluar, pasi qëndroi për 4 vite në burg, që prej 14 dhjetorit të vitit 2021. Sipas vendimit të Gjykatës së Posaçme më dhjetor 2025, thuhej se masa e sigurisë për inceneratorin e Fierit nuk qëndron më, për shkak se dosja është kthyer për rigjykim në Apel nga Gjykata e Lartë.
Në lidhje me dënimin për inceneratorin e Elbasanit, Koka ka fituar lirinë me kusht nga Gjykata e Durrësit. Ndërkohë, për çështjen e inceneratorit të Tiranës, ai e ka shlyer dënimin me kohën e qëndrimit në paraburgim. Të tre dosjet penale ku Koka ishte i përfshirë, inceneratori i Elbasanit, Tiranës dhe Fierit nuk paraqesin më masa sigurie në fuqi.
Koka u arrestua në vitin 2021 në kuadër të hetimeve për inceneratorët, ku akuzohet për shpërdorim detyre, pastrim parash dhe korrupsion. Ai është dënuar me vendime që ende nuk kanë marrë formë të prerë, lidhur me dosjet e inceneratorëve të Fierit, Elbasanit dhe Tiranës./ZËRI