KORÇË- Gjykata e Korçës ka caktuar masën e sigurisë "arrest shtëpie" për mjekun kirurg, Nikolla Nunka, i akuzuar për veprën penale të ngacmimit seksual ndaj një pacienteje 21-vjeçare, pak ditë më parë.
Burime bëjnë me dije se në seancën e zhvilluar me dyer të mbyllura dhe që zgjati rreth 2 orë, prokuroria ka paraqitur para gjykata prova që implikojnë mjekun dhe provojnë dyshimin e arsyeshëm për konsumimin e veprës penale. Megjithatë, prokuroria i ka kërkuar gjykatës që t'i caktohet masa "arrest shtëpie" për shkak të moshës së të akuzuarit.
Ndërkohë, burime raportojnë se gjatë seancës, kirurgu nën akuzë për ngacmim seksual, ka mohuar të gjitha akuzat ndaj tij.
Tre ditë më parë, mjeku Nikolla Nunka u arrestua 3 ditë më parë pas denoncimit nga pacientja e tij 21-vjeçare për ngacmim seksual.
Sipas hetimeve paraprake, e reja ishte dërguar në urgjencë për shkak të dhimbjeve të barkut e të vjellave ndërsa pas kontrolleve mjekësore, është vendosur që të kryejë ndërhyrje për apandesit. E reja ka pretenduar se gjatë kontrolleve mjekësore mjeku kirurg e ka prekur në mënyrë të papërshtatshme në pjesë intime, nën pretendimin se po kryente ekzaminimin mjekësor.
Ndaj mjekut rëndon akuza për ngacim seksual, e cila është në shqyrtim gjyqësor, ndërsa autoritetet po vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes. /ZËRI