TIRANË- Detaje të reja janë zbardhur nga ngjarja e ndodhur në Mamurras, ku i kërkuari Leonard Dema mbeti i plaguar me armë zjarri në barg gjatë operacionit policor për kapjen e tij.
Lidhur me ngjarjen, gazetarja Xhensila Kodra ka deklaruar se situata u përshkallëzua kur personi që shoqëronte të kërkuarin Amadeo Fufi ka kërcënuar efektivët me armë.
Gazetarja shprehet se policia ka qëlluar në drejtim të gomave për të bllokuar mjetin dhe mbetet ende e paqartë mënyra se si është plagosur në bark 23-vjeçari Leonard Dema. Autoritetet dhe grupi hetimor po rindërtojnë ngjarjen për të përcaktuar me saktësi se nga erdhi plumbi që preku të kërkuarin.
“28-vjeçari Amadeo Fufi ka drejtuar armën në drejtim të forcave operacionale. Këta të fundit, përballë këtij kërcënimi dhe për të neutralizuar personat e për të shmangur arratisjen, kanë shpuar gomat e makinës me armën e zjarrit të shërbimit. Mënyra si është plagosur 23-vjeçari Leonard Dema mbetet ende e paqartë, nëse është qëlluar brenda automjetit nga personi tjetër (shoku i tij) apo ndonjë prej plumbave të shkrepur nga autoritetet mund ta ketë kapur në bark dhe ta ketë plagosur”, u shpreh gazetarja Xhensila Kodra në “Studio24”.