
TIRANË- Ish-deputeti i Partisë për Drejtësi, Integrim dhe Unitet Dashamir Tahiri ka shkuar në SPAK. Tahiri është thirrur si një person në dijeni për një hetim që ka nisur Prokuroria e Posaçme e kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Pasi ka dalë nga SPAK, ish-deputeti Tahiri zbuloi për mediat se ishte thirrur për të dëshmuar një person, të cilit po i hetohet pasuria. Emrin, Tahiri nuk e zbuloi por shtoi se bëhet fjalë për një person nga "drejtësia e re".
Tahiri nënvizoi se zyrtari i lartë nën hetim ka hedhur një firmë në një nga kompanitë e tij, ku ka blerë diçka.
“Dhashë deklarime si person në dijeni, jo për ndonjë çështje që lidhet me mua, por për një hetim pasuror ndaj dikujt, në kuadër të drejtësisë së re. Bëhet fjalë për një zyrtar të lartë që ka hedhur një firmë te një nga kompanitë e mia, ku ka blerë diçka. Kjo i përket periudhës para vitit 2005,”-tha në fjalën e tij, Tahiri.
Por kur është pyetur nga nëse zyrtari në fjalë është një prokuror apo gjyqtar, Dashamir Tahiri refuzoi që të zbulonte detaje të tjera./ZËRI