SPANJË-Rreth dy vjet pas ekstradimit, pronari i kompanisë shqiptare “Porcelanosa”, Nikolin Janina, u paraqit në gjykatën e Pontevedrës në Spanjë, ku akuzohet si anëtar drejtues i një grupi kriminal përgjegjës për trafikimin e të paktën 54 kilogram lëndë narkotike heroinë.
Sipas hetimeve të Policisë Spanjolle, Janina ka luajtur një rol kyç në organizimin e grupit kriminal që transportonte heroinën me automjete të shtrenjta, përfshirë Porsche Cayenne, nga Europa Qendrore në Spanjë. Në një operacion të vitit 2016, Policia Antidrogë arriti të sekuestronte drogën e fshehur në automjetin e përdorur nga shqiptari Rinush G., i cili ishte pjesë e rrjetit. Gjatë operacionit u gjetën 54 pako cilindrike që përmbanin 53 kilogramë e 771 gramë heroinë.
Janina, i cili kishte ikur nga Spanja në momentin e arrestimit të grupit, u shpall në kërkim dhe u arrestua në Shqipëri në vitin 2022 pas një kërkese ndërkombëtare për ekstradim.
Para gjykatës, pronari i kompanisë shqiptare “Porcelanosa” deklaroi se ishte një profesor matematike në Universitetin e Tiranës dhe se ai kishte pasur takime rastësore në Spanjë me një spanjoll dhe një tjetër shqiptar, të cilët janë arrestuar si pjesë e grupit që shpërndante heroinën, raportojnë mediat e huaja.
Grupi kriminal që drejtontë Janina në Spanjë u shkatërruar në vitin 2016, në kuadër të një operacioni ku u sekuestrua një sasi prej 53 kg e 380 gramë heroinë. Autoritet e drejtësisë Spanjolle caktuan masën e “arrestit në burg” ndaj Janinës, duke e akuzuar këtë të fundit për akuzën e “Pjesëmarjes në grupe kriminale të trafikimit të narkotikëve”.
Në datën 21 shkurt 2017 Prokuroria e Krimeve të Rënda në bashkëpunim me policinë e Tiranës, nisën hetimet për identifikimin dhe lokalizimin e pasurisë së Janinës. Përgjatë 5 muajve u kryen dhjetëra veprime hetimore, nga të cilat u përfituan të dhëna të dobishme për hetimin, që më pas kanë çuan prokurorinë e Krimeve të Rënda ti drejtohet me një kërkesë gjykatës, për vendosjen e masës së sekuestros ndaj pasurive të paluajtshme të biznesmenit Nikolin Janina. Por që më pas vendimi për sekuestro të pasurisë së tij u hoq.
Procesi i tij gjyqësor është duke u zhvilluar dhe pritet që të ketë një zhvillim të rëndësishëm në këtë çështje kriminale ndërkombëtare./ZËRI